Interi vazhdon të këmbëngulë për Benzhamë Pavar, me ofertën zikaltër që ka mbërritur në 25 milionë euro plus bonuset dhe atë të Bajern Mynihut që qëndron 35 milionë. Përveç distancës, ka qenë deri më tani edhe gjetja e një pasardhësi që ka mbajtur peng transferimin. Me Bajernin që po monitoron Lutsharel Gertruida të Fejnordit, Pavar mund të marrë dritën jeshile për t’iu bashkuar Interit qysh sot, një dëshirë e shprehur tashmë e 27- vjeçarit
Për të komentuar çështjen e francezit ka qenë Xhuzepe Marota, që duhet të bëjë maksimumin për të përforcuar Interin sipas kushteve ekonomike të diktuara nga presidenti Stiven Zhang. I pranishëm në ndeshjen e parë të skuadrës në kampionat, administratori i deleguar i zikaltërve është shprehur jo vetëm për pistën “Pavar”, por ka treguar këndvështrimin e tij edhe për ndikimin e arabëve në futbollin europian, ashtu si është ndalur te dy figura të rëndësishme si Adriano Galiani dhe ish-trajneri që ndërroi jetë, Karlo Macone.
PAVAR – “Vullneti i lojtarit është i rëndësishëm, në këtë rast ai ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur tek Interi dhe kjo do të thotë shumë. Megjithatë, Bajerni është një ekip ambicioz dhe vështirë se mund të bëjë pa lojtarët e tij kryesorë, kështu që ata duhet të gjejnë një tjetër alternativë për të lejuar Pavarin të na bashkohet ne. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me ta, është e vërtetë, por nuk janë në mes vetëm çështjet ekonomike, por edhe të organikës. Këto janë vështirësitë që ekzistojnë, por negociatat janë të hapura”.
ARABËT – “Në fakt nuk i dimë pasojat. Fakti që morën kaq shumë lojtarë të talentuar duke pasuruar arkat, ka bërë ama të varfërohemi në planin sportiv dhe me Serinë A që duhet të shesë të drejtat televizive, hyrja e arabëve mund të krijojë ndikime negative”.
MACONE – “Macone na ka dhuruar një futboll të bukur, romantik. Kam qenë dëshmitar i drejtimit të tij në Rigamonti si drejtor i Atalantës”.
GALIANI – “Çfarë do t’i vidhja Adrianos? Diturinë, kompetencën, përvojën. Këto janë gurët e themelit të tij”.