Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt. Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar takimin e planifikuar për 4 prill në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi. Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, dhe më pas për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër. Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.
Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se në takimin e 4 prillit palët do të diskutojnë për hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes. I pyetur për urgjencat eventuale në zbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se ky term vlen për çështjen e të pagjeturve. Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL