Mbajti peng për 1 javë partneren dhe e rrahu barbarisht me karrige, prangosen 31-vjeçarit në Tiranë dhe 4 shokët e tij, e reja përfundon në spital, ja si ndodhi ngjarja

Shtetasi me iniciale G.G, 31 vjeç, u bë protagonist i një ngjarjeje të rëndë të denjë për një skenar filmi horror në Tiranë. I riu u arrestua dje nga efektivët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet, pasi dhunoi në mënyrë barbare dhe mbajti peng për një javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”. 31-vjeçari, nuk ishte i vetëm në “çmendurinë” e tij barbare, por u ndihmua edhe nga 4 persona të tjerë për t’u fshehur dhe prishur provat në vendin ku e reja u mbajt e dhunua në mënyrë sistematike për një javë, të cilët u arrestuan. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të saj, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Locked”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: – G. G., 31 vjeç, B. N., 36 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, B. K., 27 vjeç, E. K., 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë. Shtetasi G. G. i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.  Shtetasit B. N. dhe A. Sh. nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit B. K. dhe E. K., (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren”, thuhet në njoftim. Më tej Policia bëri me dije se 28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Si ndodhi ngjarja?

Ndërkohë mediat dje kanë zbardh dinamikën e ngjarjes në rëndë të ndodhur në Tiranë, ku një 28-vjeçare është dhunuar barbarisht nga bashkëjetuesi i saj me iniciale G.G. Efektivët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet janë njoftuar pak pas mesnatës së të shtunës për një vajzë që ishte dërguar në një klinikë afër komisariatit të dhunuar, e sjellë aty nga dy vajza të tjera. Më pas e reja është transportuar në Spitalin e Traumës, pasi ka qenë në gjendje tepër të rëndë, e rrahur, e goditur dhe e gjakosur në të gjitha pjesët e trupit.  Menjëherë kanë nisur hetimet mbi rastin. Njëra prej vajzave që e ka dërguar në klinikën private ka qenë motra e agresorit, e cila është marrë në pyetje nga policia dhe i ka dërguar në banesë ku vajza është mbajtur dhe dhunuar për ditë me radhë. Brenda, ndër të tjera policia ka gjetur edhe një këmbë karrige, me të cilën dyshohet se ka dhunuar barbarisht vajzën 31-vjeçari, ai. Mësohet se njëri prej djemve që ka ndihmuar autorin të largohet e të fshihet ka qenë kunati i tij, burri i motrës. Për disa orë me radhë policia e ka kërkuar dhe është lokalizuar diku pranë Zogut të Zi. Shtetasi me iniciale G.G., pasi është arrestuar ka treguar se ishte shumë xheloz, por nuk ka dhënë detaje të plota e konkrete në lidhje me ngjarjen e rëndë. Vajza bëhet me dije se e ka kaluar rrezikun për jetën në spital dhe është përmendur.

Prokuroria kërkon t’i ndryshohet masa e sigurisë Arsen Preçit

Nga ana tjetër, dalja e gjurmëve të ADN së Arsen Preçit, në makinën tip “BMËX6” e mbushur me 3 armë automatike, ka sjellë ndryshimin e masës së sigurisë për këtë person. Prokuroria e Elbasanit, e cila po ndjek rastin e arsenalit të armëve të zbuluar në muajin Shkurt 2023 në lagjen “Emin Matraxhiu”, pritet që këtë javë ti drejtohet me një kërkesë gjykatës së qytetit, duke kërkuar nga “arrest në burg” me afat 60 ditor në “arrest me burg” për Arsen Preçin. Sipas burimeve të prokurorisë, pozita juridike e këtij personi ndryshon, pasi gjatë hetimeve, prokuroria ka konstatuar në makinë dhe disa bishta cigareje ku ishin lënë gjurmë biologjike të Arsen Prençit. Nisur nga provat shkencore, prokurorët kanë kërkuar të ndryshojnë masën e sigurisë për Preçin.