Frosinone e mbrojtësit shqiptar Serxhio Kalaj ka sigurur matematikisht ngjitjen në Serinë A, për sezonin e ardhshëm. Kuqeblutë mposhtën mbrëmjen e sotme me rezultatit 3-1 Rexhinën dhe falë këtij suksesi siguron rikthimin në elitën e futbollit italian, 3 javë para përfundimit të Serie B.
Skuadra e drejtuar nga tekniku Fabio Groso kryeson kampionatin me 71 pikë në 35 ndeshje dhe kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi, siguron matematikisht ngjitjen në elitën e futbollit italian.
Finalizohet në mënyrën më të mirë ky sezon i shkëlqyer për Frosinonen, që rikthehet mes më të mirave të Italisë, aty ku mungonte që nga sezoni 2018-2019. Për sa i përket mbrojtësit 23-vjeçar Kalaj, ai e ndoqi duelin e mbrëmjes së sotme nga stoli, ndërkohë që këtë sezon është aktivizuar 6 ndeshje me kryesuesit e Serisë B, ku ka mundur të regjistrojë edhe 1 asist.