“Menja ka mbyllur vitin”, Pioli para sfidës ndaj Monzës: Ju tregoj bisedën me Berluskonin…

Në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Monzës, në orën 18:00, në stadiumin “San Siro”, e vlefshme për javën e 11-të të Serisë A italiane, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Milanit, Stefano Pioli, i cili ka analizuar këtë takim për kampionët në fuqi të Italisë:

Menja – “Jemi shumë të dëshpëruar për dëmtimin që ka pësuar. Është një futbollist i rëndësishëm dhe ka qenë duke bërë gjithçka që të luante. Ka të njëjtin problem në të njëjtin muskul. Ky dëmtim do ta mbajë jashtë deri në muajin janar.”

Gjendja e Teo Hernandezit – “Ajo që ndodhi me Teon ishte një situatë shumë e pakëndshme. Ditët e para ai ishte shumë i mërzitur.”

Rrotacioni – “Po e shoh në konsideratë. Do të luajmë 7 ndeshje në 22 ditë dhe asnjë lojtarë nuk do t’i luajë të gjitha sepse rrezikohet deri në dëmtime. Do të luajnë gjithmonë lojtarët më në formë dhe skuadra është e gatshme të përballet me Monzën. Kemi rikuperuar elementë të rëndësishëm si Kjaer dhe De Ketelar.”

Origi me Rebiç – “Ekziston si mundësi, por nesër në mëngjes do të vendos.”

Telefonata me Berluskonin – “Sot nuk më ka telefonuar. Në të shkuarën kemi biseduar. Kemi folur për futbollin në tërësi dhe ai shprehte idetë e tij tekniko-taktike.”

Ndeshja ndaj Monzës – “Kundër Monzës do të jetë një ndeshje e veçantë, me aspekt romantik. Berluskoni dhe Galiani kanë bërë historinë me Milanin. Janë disa gjëra që duhet t’i lëmë mënjanë. Kjo ndeshje do të ketë shumë vështirësi.”, përfundoi Stefano Pioli.