Ernest Muçi, i cili luan për Legian e Varshavës, do t’i bashkohet një prej pesë ligave më të forta në Europë.
Një lëvizje e tillë pritet të thyejë rekordin e transferimeve në Poloni, me mbi 10 milionë euro. Kjo do të thoshte se Tirana do të ishte si në qiellin e shtatë, pasi do të përfitonte 10% të kartonit dhe minimalisht, 1 milion euro e mos më shumë. Në fakt, kjo shitje do t’u hapte shumë dyer bardhebluve që do të shpëtonin. Thjesht, Muçi do të kthehej në një “bankomat” për Tiranën. Edhe kur u largua nga Tirana, Muçi u solli 500 mijë euro bardhebluve në një sezon që Tirana nuk kishte shkuar as në Europë.
SHITJA – Në Poloni dhe Shqipëri e bëjnë të sigurt shitjen e Muçit. Agjenti i lojtarit, Haris Fakiç në një intervistë për “Supersport” pranoi lëvizjen. “Muçi është një lojtar i kërkuar nga shumë klube të ndryshme, falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera me ngjyrat e Legias. Besoj se shumë shpejt do të jetë në një ekip shumë të madh dhe do të jetë një transferim shumë i merituar. Nuk mund të jap një emër konkret sepse ka disa klube, por do të shkojë në një nga pesë ligat më të forta në Europë, tha Fakiç. Ndoshta bëhet fjalë për ligat nga Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca.
POLONIA – Shqiptari tashmë 22-vjeçar luan për Legian që nga viti 2021, kur iu bashkua kampionatit polak nga KF Tirana. Legia pagoi 500 mijë euro për të. Që atëherë, Muçi është rritur ndjeshëm dhe roli i tij në skuadër tashmë është më i madh. Në sezonin 2022-23 ai shënoi pesë gola dhe dha shtatë asiste, ndërsa në sezonin aktual ka shënuar katër gola në ligën vendase dhe pesë në kupat europiane. Prej disa javësh po flitet për transferimin e mundshëm të Muçit nga Legia në një tjetër klub.