Mesi-Mbape, do të ketë vetëm një emër. Nuk ndodhte që nga Botërori i…

Futbollisti më i mirë i Botërorit, “Rusi 2018”, u votua Luka Modriç. Kush e kujton se cili e fitoi “Topin e Artë” të Botërorit afrikano-jugor të 2010-ës, ai i fituar nga Ksavi dhe Iniesta? Nuk është e lehtë: bëhet fjalë për uruguaianin Diego Forlan.Ka kohë që një kombëtare nuk triumfon duke imponuar heroin e saj. Prej 20 vitesh le të themi, nga turneu në Japoni dhe Korenë e Jugut 2002, fituar nga Brazili.

E kujtojmë si Botërori i Ronaldo Fenomenit, i cili u rikthye prej dëmtimit të rëndë dhe u shpall golashënuesi më i mirë me 8 gola, dy shënuar Gjermanisë në finale.

Prej atëherë nuk kujtojmë më një Botëror të një individi. Kanë qenë të gjithë turne ku skuadra ka shkëlqyer më shumë se individualitetet. Por ky që do të mbyllet të dielën, do t’i rikthehet traditës së vjetër.Do të jetë Botërori i Mesit ose Mbapesë. Pas finales, do ta identifikojmë vetëm me emrin e njërit prej të dyve, ashtu siç ka ndodhur me të tjerët në histori.

NGA PELE DHE DIEGO – Botërori i Suedisë në 1958, ishte i Edson Arantes do Nashimento, me emrin e artit Pele, me atë fytyrën e fëmijës së lumtur me 6 golat e tij prej çerekfinaleve, e më tej dhe perlën e tij me sombreron në finale kundër Suedisë dhe shokët që e mbanin në krah pas turneut të fituar vetëm 17 vjeç.

Mjaftoi goli në kthesë që vendosi finalen kundër Holandës së madhe të Krojfit ai që bëri Gerd Mylerin simbolin e Gjermanisë në 1974.

Botërori i Spanjës në 1982 do të mbetet në përjetësi si i Paolo Rosit për tregolëshin legjendar kundër Brazilit.

Por Botërori që identifikohet më shumë me një fytyrë të vetme mbetet ai meksikan i 1986, të cilin Diego Armando Maradona e bëri tërësisht të tijin me golin më të bukur të historisë, atë me dorë kundër Anglisë.

Franca, që fitonte edicionin në shtëpi në 1998 ishte një skuadër e vërtetë, me individualitete të rëndësishme, përfshirë trajnerin aktual Deshamp.

Por ai do të mbahet mend si Botërori i Zidanit, me dopietën me kokë që gjunjëzoi Brazilin në finale. Në 2006 do të godiste sërish me kokë, por në kraharorin e Materacit. Ndërsa tani, vetëm të dielën do të mësojmë nëse këtë të Katarit do ta kujtojmë si Kupën e Botës së Mesit apo Mbapesë.