Havier Zaneti, ish-lojtar i kombëtares argjentinase për 146 raste dhe pjesëmarrës në dy Kupa Bote, ushqen shumë shpresa përpara finales së Kupës së Botës në “Katar 2022” midis “Albiceleste”-s dhe Francë.Drejtuesi i Interit, në një deklaratë për “Marca”-n, vendosi Leo Mesin me Diego Maradonan.
“Mesi është një lojtar i madh, besoj se është në të njëjtin nivel me Diegon. Gjithashtu mendoj se shumë njerëz duan që Leo të fitojë për shkak të asaj që ai përfaqëson në botë dhe për shkak të mënyrës se si ai e interpreton futbollin. Leo e meriton trofeun dhe djemtë po bëjnë një përpjekje të madhe për të arritur lavdinë. Jo sepse jam argjentinas, por për mua është lojtari më i fortë në botë dhe në kombëtare po bën diferencën në fushë e brenda dhomës së zhveshjes”, tha Zaneti gjatë një turneu bamirësie në Katar.