Mezi pres t’i shënoj Interit”, Pulisiç: Championsi është një nga synimet që kam, ja pse zgjodha numrin e Ibrës

Njëzet e dy milionë euro u deshën për t’ia rrëmbyer Çelsit, teksa te Milani vjen me petkun e fantazistit të ri pas largimit të Brahim Diazit. Po flasim për Kristian Pulisiçin, i cili pas seancës stërvitore të dyfishtë që zhvilloi me shokët dje, dha edhe një konferencë për shtyp, ku u prezantuar përpara mediave të pranishme në “Milanello”.

Ai ka zgjedhur të mbajë fanellën me numrin 11, që deri një muaj më parë i përkiste Zlatan Ibrahimoviçit dhe ka firmosur me kuqezinjtë deri në vitin 2027.

Duket se keni pasur një efekt te tifozët. Si ndiheni?
Shumë i emocionuar. Vizitova “Milanellon”-n dhe ndjeva vërtet aromë historie. Jam krenar që u bëra edhe unë pjesë e këtij klubi kaq madhor.

Në vitin 2021 ju fitonit Champions-in me Çelsin, ndërsa Milani rikthehej në atë kompeticion. Mendoni se mund ta fitoni edhe si kuqezi?
Nëse pranova Milanin, një nga arsyet është padyshim pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Vjet kjo skuadër mbërriti deri në gjysmëfinale dhe kam ardhur për të dhënë ndihmën time në fitimin e trofeve. Përvoja me Çelsin më ndihmon dhe do të tentoj të fitoj edhe me Milanin.

Refuzuat Lionin, por edhe klube të tjera. Përse pikërisht Milani?
Epo kur mbërrin oferta nga një klub i tillë nuk refuzon dot. Jam menduar, kam folur me Piolin dhe më është krijuar përshtypja që më dëshironin, e ja ku jam.

Përse zgjodhët fanellën me numrin 11 apo doni të ndiqni shembullin e ndonjë lojtari të veçantë?
Është numri i Ibrës dhe ka një domethënie legjendare. Boshllëkun e tij nuk e mbush dot e as nuk e zëvendësoj, por numri më pëlqente. Pastaj, Milani ka pasur shumë lojtarë historikë me këtë numër, e të tjerë si Kaka. Edhe në organikën aktuale ka lojtarë me peshë.

E keni menduar ndonjëherë se çfarë mund të bëni ju dhe Leao në sulm?
Rafa është i jashtëzakonshëm dhe e njeh mirë rolin e tij. Mezi po pres të mësoj edhe unë rolin tim e mënyrën se si do ta ndihmoj Milanin. Mund të luaj në shumë pozicione ndaj do të shohim. Sigurisht, në sulm dua të jem efikas dhe do ta kem për nder të luaj me Leaon dhe shokët e tjerë. Ju, Loftus-Çiku, Tomori e Zhiru.

Kjo koloni e Çelsit sa rëndësi ka për ju?
Sezoni i fundit në Londër nuk ishte i mirë për mua dhe ka pasur disa arsye. Sigurisht, të kem shokë më bën mirë, sepse ambientohem më lehtë. Kam folur me të gjithë dhe më kanë garantuar për cilësinë e Milanit. Ashtu si unë edhe ata janë të lumtur që jemi përsëri bashkë. Si shihet Milani në Shtetet e Bashkuara? Ashtu si në të gjithë botën, pra si një klub i madh me të cilin unë shpresoj të bëj gjëra të mëdha e të rikthehem në nivelin tim. Në Amerikë, ky klub shihet me respekt dhe gëzon mbështetje të madhe.