Mikhitarian sfidon kuqezinjtë: I kemi armiq, do të luajmë vetëm për fitore

Henrik Mikhitarian është kthyer në një nga pikat kyçe të mesfushës zikaltër dhe mbrëmjen e sotme do të tentojë të jetë edhe një herë tjetër njeriu i Superkupës, ashtu si ka treguar gjithë karrierën e tij.6 Superkupa ka fituar armeni në 4 vende të ndryshme ku e ka zhvilluar karrierën e tij dhe tashmë do të provojë të pasurojë palmaresin e tij përballë “armiqve” siç i ka quajtur ai kuqezinjtë në konferencën për shtyp krah trajnerit Inzagi.

FORMA E SKUADRËS – “Ne vijmë nga ndeshje të mira, Milani është një ekip i fortë, por ne po përgatitemi për të bërë mirë. Unë ndihem gati dhe i freskët për të luajtur, por zgjedhja i takon trajnerit. Unë mundohem të bëj më të mirën dhe të kënaqem çdo ditë duke ndihmuar edhe ekipin. Po bëjmë çmos që të përgatitem në maksimum për këtë lloj sfide. Pozicioni jashtë loje gjysmautomatik? Nuk duhet të më pyesni mua, ne luajmë për të fituar, pjesa tjetër nuk na intereson”.

TROFEU – “Shpresojmë ta fitojmë këtë trofe, nuk do të jetë e lehtë sepse e dimë që kanë cilësi, por ne do të bëjmë gjithçka për të sjellë në shtëpi trofeun e parë të vitit, që mund të jetë i pari për mua me fanellën zikaltër. Shpresoj të vazhdoj të jap kontributin tim për Interin, jam i lumtur që jam këtu, edhe pse te Roma kam kaluar tri vite të mrekullueshme. U largova nga një klub që e doja, por jam i lumtur që jam këtu duke luajtur për një trofe”.

DERBI NË FINALE – “Rëndësia e një derbi në finale është e padiskutueshme për ndjesinë dhe për gjendjen psikologjike që jep më pas. Të tilla janë derbet, jemi tvetëdijshëm se luajmë përballë skuadrës tjetër të qytetit, janë “armiqtë” tanë. Kam luajtur në shumë finale, por është një finale, të cilën nëse e luajmë me gjakftohtësi dhe vëmendje maksimale mund ta fitojmë. Derbin e fundit me Milanin nuk bëmë mirë, nuk e nisëm mirë sezonin dhe patëm disa vështirësi, por më pas fituam kundër skuadrave të forta si Barcelona e Napoli dhe tani mendoj se mund të luajmë në një tjetër nivel. Interi favorit? Unë mendoj se Milani është në gjendje të mirë, nuk ka favoritë. Ne do të luajmë lojën tonë dhe pjesa tjetër nuk na intereson, nëse luajmë mirë asgjë nuk mund të na ndalojë”.

EFEKTI “LAUTARO” – “Lautaro është një lojtar themelor për ne dhe na jep një dorë të madhe, ai ka shënuar shumë në ndeshjet e fundit dhe ne shpresojmë se ai mund ta bëjë përsëri nesër. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, shpresojmë që të gjithë sulmuesit të arrijnë të gjejnë golin dhe ta ndihmojnë sa më shumë ekipin drejt fitoreve”.