Karrierën e ka nisur te Hajduku i Splitit dhe për të ndeshja me Dinamon është një derbi. Kjo duket edhe nga thumbimet që Ante Rebiç u drejton rivalëve, të cilët sot do t’i përballë si një lojtar i Milanit. Krah trajnerit Pioli në konferencë për shtyp, 29-vjeçari ka analizuar sfidën kundër bashkëkombësve.
Çfarë mund të thoni për ndeshjen me Dinamon?
Që është një kundërshtar i madh nuk ka dyshime pasi e treguan edhe në ndeshjen e parë ndaj nesh e duke fituar me Çelsin. I kemi analizuar mirë dhe ua dimë dobësitë. Uroj të marrim tri pikët dhe t’i afrohemi objektivit tonë kryesor, që është kualifikimi për fazën tjetër të Champions-it.
Si e shikoni çështjen e kualifikimit?
Është shumë e rëndësishme për rrugëtimin tonë në tri vitet e fundit. Sezonin e kaluar arritëm në fazën e grupeve dhe këtë vit duam të bëjmë një hap më tej.
Çfarë përfaqëson Champions-i për Milanin?
Një tjetër kompeticion me skuadra që luajnë futboll të ndryshëm. Në këtë nivel ka gjithmonë cilësi të lartë. Do të duhet punë e vështirë, por ne do ta bëjmë siç duhet.
Çfarë ndieni nga rikthimi në Kroaci?
Stadiumi “Maksimir” nuk është aq i nxehtë në krahasim me stadiumin e Splitit, por është bukur të rikthehesh në Kroaci. Fusha me siguri do të jetë perfekte, stadiumi disi më pak. Shkojmë në Kroaci për të bërë më të mirën.
Thuhet se ndaj Dinamos mund të luani si sulmues i djathtë…
Unë mund të luaj kudo që mund të jem i dobishëm. Pozicionin tim e vendos trajneri dhe unë zbatoj detyra. Milani që gjeta ishte një skuadër krej tjetër, ndërsa sot kemi mbetur vetëm 5 a 6 nga ai grup. Jemi më të fortë dhe mund të mbulojmë të gjithë rolet.