Ai është objektiv i Milanit për t’u alternu ar me Olivize Zhirunë, por Porto kërkon 20 milionë. Një shumë e konsiderueshme për Mehdi Taremin, por që nuk e pengon idenë e Milanit për të sjellë iranianin në “San Siro”. Ai ka karakteristikat perfekte për të qenë alternativa e Zhirusë: një sulmues i fuqishëm që di të rrisë ekipin.
Pak si Skamaka, një hipotezë që vlen gjithmonë nëse Uest Hemi vendos ta japë në huazim. Problemi është se, duke blerë Taremin, Milani do të duhet të heqë dorë nga Çukvueze, i konsideruar si kandidati perfekt për krahun e djathtë, por që do të bllokonte hapësirat për lojtarët me pasaporta që nuk janë të Komunitetit Europian. Në këtë aspekt, vlerësimet vijojnë të jenë ende në rend të ditës, megjithatë vendimi i kuqezinjve do të vijë shumë shpejt e do të shoqërohet me fakte (oferta konkrete).
STATISTIKA – Shifrat e tri sezoneve portugeze vërtetojnë se Mehdi Taremi është një sulmues kandidat për një klub ambicioz si “djalli”: 129 ndeshje, 76 gola (një çdo 127 minuta) dhe 41 asiste në kampionatin e Portugalisë. Këtu duhen shtuar 19 ndeshje, 8 gola dhe 4 asiste në Ligën e Kampioneve. Në dy Botërorë me fanellën e Iranit, 6 ndeshje, 2 gola dhe 1 asist. Por futbolli nuk përbëhet vetëm nga statistikat dhe më pas interesi bëhet edhe më i justifikuar, çka do të thotë se kuqezinjtë mund të bëjnë një ofertë të parë për të testuar llojin e komunikimit që rezervojnë homologët portugezë.
PREJARDHJA – Në biografinë e Mehdi Taremit nuk ka vend për stereotipa. Nuk ka asnjë përrallë për fëmijën e varfër që luan me një top lecke. Familje e pasur, me të vërtetë e pasur. I ati, Alishah, ishte një futbollist i mirë profesionist, deri në atë pikë sa të garantonte një jetë komode për të gjithë familjen. Vëllai i tij i madh, Mohamed, e përfundoi karrierën futbollistike në vitin 2021 në moshën 32-vjeçare pas një jete si mesfushor me fanellat e Pars Jam dhe Iranjavan. Familje e plotësuar nga një nënë dhe një motër, rezidente në Bushehir, një qytet me 170,000 banorë, seli e portit kryesor të vendit, në bregun jugperëndimor.