Ajo e së premtes kundër Empolit ishte ndesh ja e 175-të e Stefano Piolit në krye të Milanit. Në karrierën e tij, ai nuk kishte qenë kurrë në një pankinë për kaq shumë kohë. Para se të merrte përsipër kuqezinjtë, rekordi i tij personal ishte 97 ndeshje me Lacion, ndërkohë që bilanci me “djallin” tregon për: 98 fitore, 41 barazime, 36 humbje, 320 gola të shënuar dhe 202 të pësuar. Nesër ndaj Napolit do të jetë ndoshta pankina më emocionuese për Piolin, që për herë të parë ka shansin të prekë çerekfinalet e Champions-it dhe lidhur me ndeshjen e radhës ai ka dhënë disa deklarata për televizionin e klubit.
Çfarë prisni nga sfida e “San Siro”-s?
Pres një paraqitje me intensitetin dhe dëshirën që shfaqëm 10 ditë më parë ndaj Napolit. Vijmë nga një rezultat negativ siç ishte ai me Empolin dhe nuk është ai që donim. Na duheshin pikë kampionati, entuziazëm dhe energji.
Po, por ndaj Empolit mungoi vetëm goli…
Për sa i përket ritmit dhe qëndrimit, ne po kthehemi në nivelet që më pëlqejnë. Sigurisht, në 20 metrat e fundit diçka duhet rregulluar. Duhej të kishim më shumë kthjelltësi në pasimin e fundit dhe të kishim disa lojtarë më tepër brenda zonës rivale. Rrallëherë kemi komanduar një ndeshje aq mirë ndaj barazimi më ka mbetur peng.
Çfarë nuk ju pëlqeu?
E dinim që Empoli e mbyllte shumë fushën, duke luajtur me tre mesfushorë dhe katër mbrojtës. Duhet të kërkonim hapësirë me mbrojtësit e krahut. Kur ia dilnim, ishim të rrezikshëm. Ndonjëherë duhej të sillnim në ndonjë mesfushor shtesë për të barazuar situatën sulmuese në aspektin numerik. Ndaj Napolit do të duhet më shumë saktësi.
Keni menduar ndonjë gjë për formacionin e së mërkurës?
Nga sot (dje) deri të martën e ardhshme do të luajmë tri ndeshje, të gjitha shumë të rëndësishme. Unë duhet të menaxhoj lojtarët e mi dhe në të njëjtën kohë të rreshtoj formacione të cilave mos t’u mungojë cilësia. Më pas në të tilla ndeshje nevojitet edhe pak fat.
Do të flini i qetë para ndeshjes?
Këto net kam fjetur i zhgënjyer me rezultatin ndaj Empolit, por edhe shumë pozitiv për faktin që skuadra po kthehet në nivelet që meriton. Më pas duhet ta dëshmojmë me fakte sa vlejmë.