Milani kthehet në fushë me ndeshje kontrolli, ja kush e shënoi golin e parë të sezonit për kuqezinjtë

Milani ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Edhe pse mungojnë shumë lojtarë të cilët kanë qenë pjesë e ekipeve kombëtare në muajin qershor dhe kthehen pak më vonë nga pushimet, trajneri Pioli ka nisur punën me një grup të reduktuar futbollistësh nga ekipi i parë dhe me shumë prurje nga të rinjtë.

Sigurisht, stërvitjet e para kanë pak punë taktike, por trajneri gjithsesi ka ndarë grupin në dy skuadra dhe ka zhvilluar një ndeshje kontrolli. Ndeshje në të cilën goli i parë i sezonit është shënuar nga një futbollist i cili ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga kuqezinjtë, edhe pse këta të fundit duan ta shesin.

Ishte pikërisht Divok Origi ai që tundi rrjetën e Sportielos gjatë kësaj ndeshje të parë, pas një asisti nga Loftus-Çik, një ogur i mirë për belgun i cili në vitin e tij të parë te Milani ishte një dështim absolut.