Palët janë gati e gjithç ka duhet të vendoset në 10-14 ditët e ardhshme. Rafael Leao do të duhet t’i japë një përgjigje Milanit për rinovimin e kontratës që i skadon më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Zbarkimi i lojtarit në qytet një ditë përpara kohe duke i mohuar vetes lejen e akorduar nga klubi lë vend për optimizëm, por le të shqyrtojmë pozicionet e palëve.
OFERTA E RE – Sipas “La Gazzetta dello Sport”, sulmuesi ka kërkuar një rrogë prej 7.5 milionë eurosh në sezon për katër vitet e ardhshme dhe një bonus 2-milionësh në momentin e firmës mbi kontratën e re, ndërkohë që në takimin e fundit i është ofruar 7 milionë euro rrogë.
Aktualisht, lojtari më i paguar te kuqezinjtë është Teo Hernandez, që merr 4.5 milionë euro në sezon, por akordi i ri do të bënte shokun e korsisë që të bëhej më i pasuri i “djallit”. Problem më vete përbën klauzola, të cilën Milani synon ta mbajë në të paktën 150 milionë euro, ndërkohë që menaxherët e Leaos duan ta përgjysmojnë.
ROLI NË FUSHË – Një gol ndaj Salernitanës më 4 janar dhe një asist kundër Atalantës. Nuk janë statistikat e një sulmuesi nga ekipi i të rinjve, por të Rafael Leaos, që në këtë 2023-sh po shfaq versionin e tij më të shëmtuar që kur është te Milani.
Pioli e ka hedhur në fushë titullar në 8 nga 10 ndeshjet e kampionatit pa harruar edhe në dy të Champions-it. Në 3-4-2-1 aktual, ai ka një pozicion më qendror dhe është bërë më i lexueshëm për rivalët.
Hapësirat e pakta në skemën e re nuk e lejojnë të mbjellë panik në korsi e për pasojë Leao nuk del lehtësisht në lojën e tij. Aktualisht ai paguhet 1.2 milionë euro në sezon dhe klubi synon të arrijë akordin e ri (deri në 2027) me 7 milionë në sezon plus 2 milionë në momentin e firmës.
HIPOTEZA E SHITJES – Duhet shtuar gjithashtu se mbi Leaon ndikon edhe borxhi prej 9.5 milionë eurosh që ka ndaj Sportingut të Lisbonës për shkak të prishjes së kontratës pesë vite më parë.
Ai dëshiron të “lajë hesapet” me ish-skuadrën, ndërkohë që menaxherët i sjellin nga Anglia oferta me shtatë zero. Në këtë aspekt duhet theksuar se në “portën” e Milanit nuk ka trokitur askush.
Problem për lojtarin është edhe fakti që ndiqet nga dy menaxherë. Zhorzh Mendesh, nga i cili kërkon shkëputjen prej kohësh, mundohet ta çojë në klube që i ofrojnë më shumë, ndërkohë që Ted Dimvula, avokat dhe mik i babait të Rafaelit, po mundohet të arrijë një pakt me “djallin”.
Nëse mungon rinovimi, atëherë do të merret në konsideratë shitja pasi klubi nuk dëshiron një përsëritje të rasteve që çuan në divorcin pa përfitime nga lojtarë si Kesi, Donaruma apo Çalhanoglu. Në verë kuqezinjtë mund të kënaqen me 100 milionë euro, që ndoshta nuk do të ishin maksimumi, por me siguri më mirë se asgjë…