Milani ka një garë të ashpër në Serinë A italiane për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Në barazim pikësh me Interin e Romën, kuqezinjtë kanë për detyrë të marrin më shumë pikë se kundërshtarët në 6 ndeshjet e radhës për të siguruar pjesëmarrjen në Champions.
Ajo që e bën Milanin të buzëqeshë, është fakti se në “San Siro” kuqezinjtë janë të pathyeshëm. Humbja e fundit në shtëpi, është 3 muaj më parë në një ndeshje kundër Sasuolos, me rezultatin e thellë 2-5.
Nga ajo ditë, Milani ka luajtur në shtëpi edhe 7 ndeshje të tjera nga të cilat ka fituar 5 dhe ka barazuar në 2 prej tyre. Në kalendarin deri në fund se sezonit, kuqezinjtë kanë edhe 4 ndeshje të tjera në shtëpi nga 6 në total, ku fillimisht do të presin Kremonezen dhe Lacion, e më pas Sampdorian e Veronën. Në transfertë, Milani luan ndaj Specias e Juventusit.