Klaudio Lotito e kishte nxjerrë në shitje Sergej Milinkoviç-Saviçin dhe priste një prej klubeve të mëdha të Serisë A të trokiste në derën e tij, por deklarata e djeshme e presidentit të Lacios ka lënë pak vend për interpretim për të ardhmen e mesfushorit. Vetë serbi duket se ka lënë thatë të gjitha klubet italiane, me Juven si kandidaten kryesore, pasi ka shprehur vullnetin e tij për t’u transferuar në Arabi.
“Nuk më ka ardhur një ofertë zyrtare për Sergejin, por ajo që më rezulton është që lojtari ka kërkuar të largohet pas 8 viteve me fanellën e Lacios. Nuk ka asnjë problem në marrëdhënien me klubin, është një problem me kokën e lojtarit. Nuk ka të bëjë me paratë, ai donte të ndryshonte ajrin”, e ka nisur deklaratën e tij Lotito, që ka vazhduar:
“Nuk kam folur për shifrën e duhur, sepse po të prisnim të duhurën, nuk do ta shisnim me ato shifra. Me Sergejin kemi një marrëveshje që nëse do të vinte një ofertë minimale normale për Lacion, ai mund të shkonte”.
NË ARABI – Ndërkohë që të gjitha rrugët duket se e çojnë në Arabi 28-vjeçarin, ku kandidati kryesor për shërbimet e tij është AL-Hilali, Lotito tha:
“Nuk ka ardhur një ofertë prej tyre. Kur të nënshkruhet kontrata dhe të bëhet pagesa do të quhet i larguar. Tani është ende i federuar i Lacios. Nuk e di çfarë stimuli mund të ketë një lojtar për të zgjedhur Arabinë veç parave, por për këtë duhet të pyesni atë. Unë u përpoqa ta bind të qëndrojë deri në minutën e fundit, ishim të gatshëm të rinovonim me të. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por në fund është ai që vendos për jetën e tij. Më telefonoi duke u lutur që ta lija të shkonte”