Autoritetet doganore në vendin tonë vazhdojnë të mbyllin sytë para kontrabandës së mallrave në vlerë miliona euro në pikat tona kufitare, duke goditur vetëm raste sporadike në vlera të papërfillshme.
Ditën e sotme në Portin e Vlorës policia kufitare ka ndaluar disa kuti me shishe vere duke njoftuar se ka finalizuar një operacion kundër mallrave kontrabandë.
Bëhet fjalë për disa kuti të cilat ishin fshehur në një autobus, ndërkohë që kanë nisur hetimet për drejtuesit e mjetit, A. P., 50 vjeç.
Një investigim i bërë pak muaj më parë tregonte si doganierët korruptoheshin duke bërë pazare për skanerin që kontrollon ngarkesat që futen në vendin tonë. Subjektet private duhet të paguanin haraçin për të kaluar mallrat në doganë, si në import ashtu dhe në eksport.
Investigimi zbuloi se si për çdo deklaratë doganore duhej paguar ryfsheti. Në video shfaqej një nga doganierët i cili e orienton subjektin që bën procedurën e skanerit se ku të lejë bakshishin.
Dy nga doganierët i thonë subjektit që ryshfeti i dhënë nuk mjaftohen dhe se duhen para të tjera. Skandali thellohet akoma më shumë edhe për faktin se biseda bëhej në sy të doganierëve të tjerë të cilët qeshnin me bisedën.
Përveç marrjes së ryshfetit, kjo skemë korrupsioni cenon rëndë sigurinë kombëtarë me lënien e plumbçeve të sigurisë me të cilat vulosen rimorkiot e kamionëve, në dorë të subjekteve private.
Njoftimi i policisë
Port Vlorë/Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Goditet një tjetër rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Sekuestrohet një sasi vere, procedohet penalisht drejtuesi i automjetit që tentoi ta kontrabandonte në vendin tonë.
Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusin me drejtues shtetasin A. P.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.