Miqësoren mes Lushnjës dhe Erzenin e vendos një francez, dyndje lojtarësh në provë

Lushnja ka mposhtur Erzenin me shifrat minimale 1-0 në ndeshjen miqësore të luajtur dje në orën 17:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyky” të Pogradecit. Goli me penallti i mesfushorit francez, Matjë Lëru, në fundin e pjesës së parë ka vendosur këtë test që u shërbeu më shumë trajnerëve Alfred Deliallisi dhe Gugash Magani për të parë gjendjen e lojtarëve.

Te shijakasit kishte dyndje lojtarësh në provë, por edhe emra që kanë luajtur në Kategorinë e Parë si Gjonaj, Dushkaj apo pogradecari Yzellari. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe dy afrimet e fundit te Erzeni, mesfushori argjentinas Agustin Rojas dhe qendërmbrojtësi venezuelian, Ismael Paez. Sa i përket kronikës së miqësores, loja nisi më mirë për lushnjarët. Pas një kombinimi të Tabakut dhe Zisit, ky i fundit godet me të majtën dhe tranversa i mohon golin.

Më pas shijakasit shpërdorojnë në një kundërsulm, me topin që nuk arrin të shkojë tek Oshafi, i cili ndodhet i vetëm përballë portierit. Sulmuesi beratas është rreziku kryesor për Lushnjën, por skuadra e Maganit është më e qartë në lojë dhe i afrohet golit me shtatlartin Ayinde. Portieri Xhika shpëton disa herë Erzenin nga gola të sigurtë, derisa në minutën e 44-t, Lëru rrëzohet në zonë nga Balanta dhe gjyqtari akordon penallti. Do ishte pikërisht francezi që ekzekuton duke mposhtur Xhikën. 0-1 për Lushnjën mbyllet kjo pjesë e parë menjëherë pas ekzekutimit të 11-metërshit.

E dyta fillon me ndërrime nga të dyja anët. Një lojë pa shumë fantazi, me pasime të gabuara dhe pa raste konkrete, ndërsa nga pankina nuk mungojnë britmat e trajnerëve Magani dhe Deliallisi. Lushnja ka një rast të mirë me Xherison në të 76-ën, ndërsa aksioni më i mirë i kësaj pjese të dytë erdhi nga shijakasit, ku pas një depërtimi nga e majta, Dushkaj shërben tek Rojas, i cili godet fort, por topi devijohet nga mbrojtja. Më pas një goditje dënimi e ekzekutuar fort nga e djathta për Erzenin, grushtohet nga portieri Haremi. Skuadra shijakase ishte më kërkuese në fund, por Lushnja u mbrojt mirë dhe ndeshja u mbyll me fitoren 0-1.