Miqësorja e luksit me Interin tashmë nuk është një ëndërr, ja axhenda e Egnatias për transfertën në Itali

Egnatia ka bërë një hap të madh sezonin e fundit duke u renditur e treta në Superiore e njëkohësisht fituese e Kupës së Shqipërisë. Me këtë sukses, rrogozhinasit kanë menduar edhe për imazhin e klubit duke organizuar një miqësore luksi me Interin, nënkampionen e Europës.

Skuadra rrogozhinase do të luajë ndaj Interit në datën 13 gusht në stadiumin “Paolo Mazza” të Ferraras, stadium në të cilin luan edhe SPAL. Ndeshja do të nisë në orën 20:00, teksa klubi rrogozhinas ka planifikuar edhe axhendën për këtë miqësore.

Skuadra do të niset ditën e shtunë në datën 12 gusht në drejtim të Italisë, aty ku do të akomodohet në një nga hotelet e qytetit pranë stadiumit. Pas ndeshjes, skuadra dhe stafi do të rikthehen në hotel dhe ditën e hënë në datën 14 gusht, ekipi do të rikthehet në Shqipëri ku do të nisë përgatitjet për sezonin e ri.