Sergey Burenkov, gruaja e tij, Natalya Burenkova, vajza e çiftit Ekaterina Burenkova dhe partneri i saj Nikita Belousov u gjetën të vdekur në një nga hotelet në zonën e Qerretit të Kavajës rreth një muaj më parë.
Fakti që vdiqën të katër njëherësh shtoi më shumë misteret, ndërsa rriti mundësinë e një përplasjeje mes Rusisë dhe Shqipërisë. Fillimisht u hodhën teza se një nga personat e vdekur ishte punonjës i shërbimit sekret, ndërsa u aludua se vdiqën nga kimikatet e shumta e hedhura në pishinë, apo nga një helmim i mundshëm i ushqimit të katër turistëve rusë që kishin udhëtuar më parë në Maqedoni përpara mbërritjes në Shqipëri.
Ambasadori rus Mikhail Afanasiev në një intervistë për “Zona Zero” ka komentuar teoritë që janë hedhur mbi të shkuarën e katër shtetasve rusë. Ndërsa bën të ditur se pala ruse ka nisur hetimet nga ana e saj.
“Më pas, siç e dini, me iniciativën e Policisë së Shtetit, Prokuroria nisi një hetim për veprën penale për “vrasje”, pasi në shumicën e rasteve, kur nuk ka shenja të dukshme të vdekjes natyrore (dhe ky është një rast i tillë), hapet një çështje për “vrasje”. Kjo bëhet si në Shqipëri, ashtu edhe në Rusi.
Pas kësaj, pala shqiptare na njoftoi për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe mjeko-ligjore si në vendngjarje, ashtu edhe në laboratorë të specializuar duke përdorur mostrat e materialit biologjik, të marra si rezultat kryerjes së autopsisë së trupave. Deri më tani, ne nuk jemi në dijeni të ndonjë rezultati specifik të këtyre kërkimeve”, shprehet ambasadori rus.