Çmimi Nobel i këtij viti në Fizikë ka shpërblyer kërkimin në mekanikën kuantike. Çmimi shkoi për tre shkencëtarët Alain Aspect, John Clauser dhe Anton Zeilinger.
Ata do të ndajnë çmimin prej 800.000 paund. Nobeli i Fizikës i vitit të kaluar iu dha tre shkencëtarëve që avancuan të kuptuarit tonë të sistemeve komplekse – në veçanti, klimës së Tokës.
Të hënën, komiteti Nobel i dha çmimin e Mjekësisë suedezit Svante Paabo për punën e tij mbi evolucionin njerëzor.
Tre laureatët e këtij viti kryen eksperimente novatore duke përdorur gjendje kuantike të ngatërruara, ku dy grimca nën-atomike sillen si një njësi e vetme edhe kur janë të ndara.
Rezultatet e tyre kanë hapur rrugën për teknologjitë e reja të bazuara në informacionin kuantik.
“Shkenca kuantike e informacionit është një fushë e gjallë dhe me zhvillim të shpejtë,” tha Eva Olsson, një anëtare e Komitetit Nobel për Fizikë.
Francezi Alain Aspect, 75 vjeç, është i lidhur me Université Paris-Saclay dhe École Polytechnique, Palaiseau. Amerikani John Clauser, 79 vjeç, drejton kompaninë e tij në Kaliforni. Anton Zeilinger, 77 vjeç, është i atashuar në Universitetin e Vjenës.
Të tre ata fituan çmimin Wolf në 2010.