Minuta 23, kundërsulm i Juves çon Rabionë që kontrollon, në dukje me ndihmën e krahut, shkëmben me Vlahoviçin dhe më pas ofron asistin në të majtë për Kostiçin që bën 1-0. Ndeshja ndalet për 4 minuta për një kontroll në VAR.Në momentin e stopimit të Rabiosë, në fillim të aksionit, ka një dyshim për një kontakt të topit me dorën e majtë nga francezi. Ndërkohë, imazhet e përsëritura nuk ofrojnë një imazh të qartë.
Në më të mirën prej tyre Rabio është me shpatulla dhe fsheh prekjen e mundshme të parregullt. Ndërkohë, një imazh i qartë është ai i prekjes së topit me dorë një fraksion më pas nga Vlahoviç, por serbi e ka dorën totalisht të ngjitur me trupin, ndaj nuk mund të ndëshkohet.
Në vazhdimin e aksionit ka edhe një tjetër dyshim se Vlahoviç e çon sferën para sërish me dorë, por nuk ka imazhe për kontaktin dhe nga salla e VAR-it, pas një kontrolli prej më shumë se 3 minutash dhe pamjeve të qarta që mungojnë lënë në fuqi vendimin e fushës së Kifit, për një gol të rregullt, ndonëse zhurma tashmë ka nisur…
Dhe kush e di se sa do të zgjasë, duke qenë se përpara është pauza e kombëtareve dhe kohë për të debatuar do të ketë pa fund.
Interi e nisi menjëherë me protestat, por ndërkohë edhe zërat pas sfidës së specialistëve anojnë më shumë nga rregullsia e golit, të paktën nga mbrëmë, në të nxehtë…