Napoli vijon të thyejë rekord pas rekordi në Serinë A. Të shtunën kundër Udinezes, skuadra e drejtuar nga Luçiano Spaleti ka fituar 3-2, duke regjistruar suksesin e 11-të radhazi në kampionatin italian.
Përballë Udinezes është dukur gjithçka e lehtë, teksa pas afro një ore lojë e ka parë veten në epërsi të tre golave. Por më pas ka lëshuar, duke i lejuar vetes pak ankth në fundin e takimit. Friulanët me dy gola të shpejtë janë kthyer në lojë dhe i kanë rrezikuar tri pikët Napolit në “Maradona”. Në fund një sukses i merituar për Napolin, që i përçon një tjetër mesazh rivalëve në garën për “Scudeton”, që kanë nisur të humbasin terren. Skuadra e drejtuar nga Luçiano Spaleti e mbyll vitin 2022 si kryesues i padiskutueshëm.
PRESIDENTI – Fitorja ndaj Udinezes ka bërë me krahë dhe presidentin De Laurentis, i cili sipas “Gazzetta dello Sport”, që nga SHBA-ja ka folur me skuadrën në një lidhje telefonike. “Një urim për të gjithë skuadrën, një bravo dhe një duartrokitje për trajnerin tonë”, ka thënë mes të tjerash De Laurentis. Fitorja e Napolit edhe njëherë mban firmën e Viktor Osihmen, i cili që nga tetori ka shënuar 7 gola në Serinë A. Vetëm Nkuku në Gjermani me Lajpcigun ka bërë me mirë se ai (8). Që pas kthimit në fushë nga dëmtimi, Osihmen ka qenë një makineri golash. Por nuk ka qenë vetëm Osihmen i rëndësishëm në suksesin kundër Udinezes. I rëndësishëm ka qenë dhe maqedonasi Elmas, autori i asistit të golit të 1-0 dhe autori i golit të tretë të Napolit.
SPALETI – Trajneri i Napolit nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij për një tjetër fitore të rëndësishme, që e mban skuadrën e tij të qetë në krye të Serisë A. “Të gjitha fitoret janë të vuajtura. 15 minutat e fundit përballë Udinezes janë një tregues se nuk na është falur asgjë, gjithçka e kemi fituar me punë dhe djersë. Një falënderim i veçantë shkon për djemtë, të cilët kanë bërë një pjesë të parë të kampionatit në nivele stratosferike. Jemi një grup i shkëlqyer”, ka thënë Spaleti për “DAZN”. Më pas Spaleti ka shpjeguar dhe çelësin e suksesit të ekipit të tij. Ajo qëndron në disponueshmërinë e të gjithë lojtarëve. “Të gjithë janë gati të zbresin në fushë, të gjithë janë gati të sakrifikojnë. Kam një skuadër me djem me karakter të shkëlqyer. Të gjithë ndihen të përfshirë në këtë projekt. Megjithatë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse një rrëshqitje e vogël dhe rivalët janë aty dy hapa larg”, ka nënvizuar Spaleti.