“Derbi duhet të jetë historik dhe i këndshëm, shpresojmë se do të jetë një reklamë pozitive për futbollin dhe se do të jetë një ndeshje e bukur. Pastaj le të fitojë më i miri”. Kanë qenë këto fjalët e para Xhuzepe Marotës mbi duelin e së shtunës ndaj Milanit që në një intervistë për “Sky Sports” u ndal edhe tek individët zikaltër, ashtu si dhe te gara për titull.
Jeni favoritët?
Shumë thonë që jeni skuadra më e mirë. Jo, ne jemi vetëm në fillim të kampionatit dhe kalendari mund të ketë ndikim gjatë rrugës. Si ekip kemi personalitet dhe një bllok lojtarësh ekspertë përveç të rinjve. Puna e Inzagit po jep fryte, ne do të bëjmë atë që na takon. Më duhet të them se modeli ynë ka sjellë rezultate në vitet e fundit, edhe falë pronësisë, e cila gjithashtu pëson shumë kritika. Ne punojmë mirë edhe falë vlerës njerëzore, e cila na ka bërë të arrijmë qëllime edhe të papritura.
Ju keni zgjeruar skuadrën, tashmë problem bollëku për Inzagin.
Ndërkohë, është mirë të shohësh katër lojtarë të Interit që luajnë për kombëtaren, do të thotë të rikuperosh atë që ka humbur, pak shpirt italian. Për pjesën tjetër, do të jenë problemet e Inzagit, i cili është i zoti në menaxhimin e të gjitha situatave”.
A është Lautaro lideri juaj?
I kemi besuar shiritin e kapitenit, jo vetëm për t’i dhënë më shumë përgjegjësi, por mbi të gjitha sepse e meriton për atë që ka bërë vitet e fundit. Është një protagonist i vërtetë dhe do të tregojë me atë që do të dhurojë se është kampion.
Do të jetë një derbi që zgjat një sezon të tërë?
Rrjeti i pretendentëve për titullin është i njëjtë me 20-30 vitet e fundit. Ka shumë ekuilibër, vërtet ne dhe Milani jemi me 9 pikë në 3 ndeshje, por nuk mund të harrojmë Juventusin, Napolin, Lacion, Romën dhe Atalantën.
Ishte një nga merkatot më të vështira për ju?
Sigurisht që na është dashur të menaxhojmë fenomenin e ri të futbollit arab që ende nuk po arrijmë ta kuptojmë. Kjo ka tronditur tregun europian, Arabia ka marrë jo vetëm lojtarë në fund të karrierës, por disa në mes të aktivitetit të tyre. Ka një avantazh të dukshëm ekonomik, por edhe klubet humbasin konkurrencë. Kjo duhet të rregullohet pastaj gjatë sezonit.
A do të rinovojë Dimarko?
Më shumë se një rinovim, do të thosha një zgjatje e drejtë dhe e duhur e kontratës ku do të vihet në pah vlera konkrete e përkatësisë. Ne do të ulemi me të sa më shpejt të jetë e mundur për të studiuar gjithçka.
Ju vjen keq për Pogbanë?
Sigurisht që më vjen keq, është një djalë shumë i mirë. Nuk do të hyj në detaje sepse nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk do të shkoj shumë larg. Është pjesë e historisë së rastit fatkeq, kam lexuar në gazeta se ka marrë diçka në mënyrë të pavullnetshme. Dhe nuk do të shkoj më tej, përveçse të nënvizoj se sa shumë Pogba është ende një profesionist i madh.