I është dashur të presë gjatë, por në fund Karim Benzema ia ka dalë. Sulmuesi i Realit të Madridit ka fituar në shtëpinë e tij në Paris për herë të parë në histori “Topin e Artë”. Sukseset e arritura me Realin në sezonin e kaluar si dhe 44 gola në 46 takime të zhvilluara kanë qenë të mjaftueshme për ta kurorëzuar atë si lojtarin më të mirë në botë. Po flasim për një sulmues që vetëm pak muaj më vonë do të festojë përvjetorin e tij të 35-të.
Suksesi i Karim Benzemasë ka pasur shumë ngjyra brenda. Mediat pro Madridit e kanë etiketuar suksesin e tij dhe si një “Klasike” të dytë të fituar në pak orë.
Jo më larg se të dielën, Reali triumfonte përballë Barcelonës në La Liga, 3-1, ku vulën e tij e vinte dhe Karim Benzema. Vetëm 24 orë pas triumfit në fushë, Reali ka fituar një tjetër “Klasike”, këtë herë në tapetin e kuq të “Théâtre du Châtelet” në Paris, me Benzemanë, i cili ka fituar “Topin e Artë”, që i ka dhënë mundësi Realit të barazojë Barcelonën.
Që nga e hëna, dy gjigantët spanjollë ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre 24 “Topa të Artë”.
Benzema gjithashtu është bërë francezi i pestë në histori që fiton këtë trofe prestigjioz pas Kopës, Platinisë, Papenit dhe Zidanit. Ndërsa Franca si vend ka barazuar Portugalinë, Holandën, Argjentinën dhe Gjermaninë me 7 trofe.
GJITHÇKA NISI PAS TË 30-ave – Historia e suksesit të Benzemasë është disi e veçantë po ta krahasosh me të tjerët. Një rrugëtim i gjatë që nisi 13 vjet më parë kur shkeli në Madrid dhe që u kurorëzua me lojtarin në vigjilje të festimit të 35-vjetorit. Sulmuesi francez iu bashkua Madridit në vitin 2009 nga Lioni.
Ndonëse shumë i ri në moshë Reali kishte pikasur diçka tek ai, ndaj i lejoi vetes të shpenzonte 35 milionë euro për sulmuesin. Francezi është rritur në Madrid në të gjitha aspektet, por ka pasur një moment që shënoi kthesën e madhe, një moment përfundimtar në të cilin ai shpejtoi vrapin për të fituar “Topin e Artë”. Ai vetë e pranon se në moshën 30-vjeçare diçka ndryshoi brenda tij.
Rastësi apo jo, ndryshimi rrënjësor i tij nisi me largimin e Kristiano Ronaldos nga Madridi në korrik 2018.
Dhe francezi nuk ka harruar ta përmendë një gjë të tillë, pikërisht në mbrëmjen më të rëndësishme për të në planin personal, kur të gjithë sytë e botës ishin drejtuar për nga ai.
“Pasi i mbusha 30 vjeç, ambicia hyri në kokën time. Ajo më thoshte: bëj gjëra të tjera, bëhu lider dhe luaj për Realin e Madridit, klubin më të mirë në botë. Ishte një nder të luaja me të (Ronaldon), ai është një bishë. Por erdhi një moment kur u fiksova me idenë për të fituar ‘Topin e Artë’. Këtu ndryshoi gjithçka për mua”, tha Karim Benzema.
TITUJT DHE LIDERSHIPI – Fakti është se me largimin e portugezit, sulmuesi francez mori komandën, ngriti flamurin e udhëheqësit, duke i paraprirë Realit në suksese të rëndësishme.
Ai mori për dore skuadrën të fitojë dy herë titullin në La Liga, dy Superkupa europiane dhe një Botëror për klube, përveç arritjes së Ligës së Kampionëve, e 14-të në historinë e klubit, duke u bërë lojtari më i mirë i planetit.
“Topi i Artë” i fituar prej tij është rezultat i një lojtari tjetër, një lojtari të ndryshëm.
I një lojtari që luan me të tjerët dhe për të tjerët, një lojtar që humbet fare pak ndeshje, një lojtar që gjithnjë arrin të gjejë një zgjidhje për skuadrën edhe kur situatat ndërlikohen. Benzema nuk i lë kurrë në baltë shokët e tij dhe që kur ambicia iu injektua në trup, siç dhe vetë ai e ka pranuar, u bë një lojtar ndryshe.