Ndau miliona euro me ushtarin e Talo Çelës, përfundon në SPAK pazarxhiu i Bledi Çuçit (Endri Mullai), pritet arrestimi për tendera korruptivë

Ka sinjale se së shpejti në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, mund të ketë dorëheqje e prangosje të drejtorit Endri Mullai, i cili para 1 viti zëvendësoi ish-drejtoreshën Edlira Naqellari, që u arrestua për tenderin e uniformave të policisë.

Në SPAK janë depozituar 23 denoncime e 3 kallëzime penale nga firmat private, ndërsa organi i akuzës i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit  e komisionit hetimor të tenderëve (KPP), raport për abuzimet e rënda që ka bërë drejtori Endri Mullai, i cili i ka dhënë miliona euro tendera Gentian Sharrës, ushtarit të Talo Çelës.

Saktësojmë, se të dy këto institucione e kanë kryer procesin hetimor administrativ, për abuzimet e Drejtorit të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai, nisur nga denoncimet e subjekteve private, hetim që ka nxjerrë shkelje të qëllimshme në tenderë.

Përveçse kostot i ka përcaktuar me fond limit shumë më të lartë se kostoja reale, i ka dhënë me garë të falsifikuar, pa garë dhe me korrigjime dosjesh e anulime fituesish pasi janë shpallur, madje ka sajuar dhe tenderë pa pasur kërkesa e nevoja nga institucionet.

Janë skeduar e hetuar 28 tenderë, me vlerë nga 1.5 milionë Euro deri në 3 milionë Euro, mes tyre tenderi 2.5 milionë Euro për blerje tonerash për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë Energjisë.

Denoncimin e ka bërë firma “Erisoni… Sh.p.k”, me akuzën se drejtori Endri Mullai, kishte anuluar shpalljen fituese të saj, duke falsifikuar dhe ndryshuar procedurën elektronike të garës, skandal për të cilin u tha, se i kërkoi “thelë” më të madhe pronarëve të firmës, por ata refuzuan.

Nën hetim, drejtori Endri Mullai është dhe për tenderin e datës 4 prill 2022, me vlerë 1.5 milionë Euro e objekt: “Blerje orendi për mobilim zyrash në QSU “Nënë Tereza-Tiranë”.

Ky tender, përveçse është bërë pa kërkesë nga Drejtoria e QSUT e në koste 3 herë më të lartë se kostoja në treg për Njësi/Mall, kishte specifikime pa asnjë lidhje me objektin e tenderit, me qëllim që të fitonte firma e paracaktuar (sipas denoncimit të firmës “I…Sand Sh.p.k”).

Skandal është fakti i zbuluar nga SPAK, se drejtori Endri Mullai në Ministrinë e Brendshme, më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit, i ka dhënë Gentian Sharrës të grupit “Nuredin Dumani-Talo Çela”, tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra” të gruas së tij, ku menaxher në letrat e tenderit figuron Talo Çela.

Lidhur me këto 3 tenderë e të tjerë, një nga anëtarët e komisionit, prej frikës se shkon në burg si ish- kolegët e tij për uniformat e policisë, ka vënë në dijeni Edi Ramën e ministrin Bledi Çuçi.

Por pas raportimit, është hequr nga komisioni i tenderëve dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, duke u transferuar jashtë Ministrisë së Brendshme, me kushtin që të heshtë.

Kujtojmë, se deri para 1 viti, Mullai ka qenë Drejtor i Tenderëve dhe Koncesioneve në Ministrinë e Bujqësisë, ku njihej si pazarxhiu i Bledi Çuçit, i cili e ka marrë me vete dhe në Ministrinë e Brendshme, duke e emëruar Drejtor të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.

Kjo agjenci, është e njohur si “tepsia” ku bëhen 80% e tenderëve të mëdhenj të ministrive, shumica e të cilëve u jepen pa garë, me kritere false e kosto më të lartë, firmave me pronarë oligarkë, deputetë dhe të dënuar me burg për korrupsion me tenderët, mashtrim me faturat e TVSH-së dhe evazion fiskal (emrat në vijim)./Pamfleti