Të gjithë presin rikthimin në fushë të Pol Pogbasë, por duket se është Pol Pogba ai që pret më shumë se të tjerët që të shkelë sërish terrenin e lojës dhe të shpërblejë Juventusin për gjithçka i dhuroi dhe e bëri të famshëm në aventurën e parë, por edhe për këmbënguljen që tregoi për ta rikthyer në Torino.
Pas operacionit, riaftësimi i të cilit duket se po ecën me ritme fantastike, aq sa në fundin e muajit tetor mendohet se ai mund të rikthehet të luajë pa probleme, 29-vjeçari francez tregon disa nga ndjesitë dhe përgjegjësitë që ndien tashmë, pa harruar këtu edhe marrëdhënien e fortë që e lidh me Masimiliano Alegrin.
“Po punoj shumë për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi e kuptoj që Juventusi ka nevojë edhe për mua që të rikthehet te sukseset që meriton.
Fundja, ishte kjo një prej arsyeve më të mëdha që pranova të rikthehem. Më pëlqen të përballoj sfidat e vështira me buzëqeshje, në jetë dhe në futboll.
Dashuria për këtë sport më motivon të jap maksimumin çdo ditë, kjo sepse më ka dhuruar shumë që në moshë të re, më ka bërë që ta fus karrierën time në shinat e futbollit të rëndësishëm që në moshë të vogël dhe është normale që pas shumë suksesesh të vijë momenti që edhe unë t’i kthej diçka futbollit dhe Juventusit, i cili më ndihmoi më shumë se kushdo tjetër për t’u bërë ky që jam sot, – shprehet Pogba për “GQ”, përpara se të kalojë te ndjesitë dhe lidhja e fortë me “Zonjën e Vjetër” dje sidomos me trajnerin Masimiliano Alegri.
– Kam pasur gjithmonë një lidhje shumë të fortë me Maksin, një marrëdhënie e hapur, e sinqertë, pa prapaskena të asnjë lloji. Ai më njeh gjithashtu shumë mirë, madje ne kemi folur shpesh edhe gjatë periudhë që unë luaja në Mançester.
Pastaj, rikthimi te Juventusi u shty gjithashtu nga një tjetër lidhje e fortë që ka mbetur me tifozerinë. Disa më akuzojnë se rri më shumë të berberi se në stërvitje?
Ne futbollistët e dimë mirë se duhet të bashkëjetojmë mes komplimenteve, por sidomos edhe akuzave. Por pikërisht për këtë stërvitemi. Shumëkush mendon se punojmë vetëm me fizikun, por jo, edhe psikololgjikisht duhet të jemi gati.
Gjithsesi, për të lënë një klub madhështor si Mançester Junajtidi, ku fitova Ligën e Europës dhe luajta e lashë shumë kampionë të mëdhenj, e vetmja gjë që më shtyu për të pranuar Juventusin ishte zemra ime. Ajo e bëri zgjedhjen.
Që në momentin e parë e kuptova se ishte kjo sfida e madhe që duhet të ndërmerrja… Kishte ardhur koha për shpagim… E them këtë sepse kur unë erdha në fillim te Juventusi isha shumë i vogël, por këtu gjeta njerëz si Pirlo, Bufon apo edhe Kielini, që më pritën si të isha shoku i tyre, më qëndruan pranë, më mësuan se çfarë duhet të jap për fanellën.
Dhe tani i kuptoj mësimet e tyre. Madje, ka ardhur koha që unë t’ia shpërblej Juves, sepse me eksperiencën që kam fituar mendoj se tani jam si Pirlo, Bufoni e Kielini për këtë skuadër.
Prandaj, pres me padurim të rikthehem në fushë dhe së bashku me shokët e mi, me stafin teknik dhe me ndihmën e tifozëve t’i kthej Juventusit të njëjtat suksese që më dhuroi mua në aventurën e parë”, deklaroi kampioni i botës me Francën në vitit 2018.