Ndriçim Troplini, prokurori që u korruptua nga biznesmeni i krimit Festim Qoli për t’i mbuluar vrasjen e Elvis Dedës?

Rrëfimet e killerit Nuredin Dumani para SPAK-ut për krimet 10 viteve të fundit në Shqipëri nga 8 grupe mafioze, kanë mbuluar me hije korrupsioni dhe krimi Prokurorinë e Durrësit. Festim Qoli, pasi kishte krijuar besim dhe ishin bërë byrazer, i ka rrëfyer Nuredin Dumanit se kishte paguar 200 mijë euro për të mbyllur vrasjen e 36-vjeçarit Elvis Deda, ortakut të tij në biznes, në 5 qershor të 2012.

Sipas Dumanit, Elvis Deda është vrarë nga Festim Qoli dhe Henrik Hoxha në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Më pas, Festim Qoli, i cili kontraktonte Dumanin për krime të ndryshme, ka djegur makinën, ku nga flaka gati sa nuk i janë djegur vetullat.

Arsyeja e vrasjes, sipas Dumanit është një vajzë, por nëna e Dedës, Fatmira Deda, edhe kjo e masakruar më pas me porosi të Qolit, ka pretenduar se arsyeja e krimit ishin borxhet që Qoli i kishte djalit të saj.

Për të mbuluar krimin, Festim Qoli i ka thënë Dumanit se u ka paguar 200 mijë euro ‘atyre qenve’. Dhe ky deklarim përputhjet me zhvillimet pas vrasjes së Elvis Dedës, pasi Prokuroria ka mbyllur dosjen pa autor.

Dosja është mbyllur edhe pse Fatmira Deda e tregonte vrasësin e të birit, me zë të lartë në zyrat dhe oborrin e prokurorisë. Zëri dëshpërues për drejtësi i Fatmira Dedes u shua përgjithmonë një vit më pas, kur Festim Qoli, porositi Dumanin për vrasjen e saj, kundrejt pagesës 40 mijë euro.

Qoli ishte i shqetësuar pasi Fatmira kërkonte drejtësi për djalin. Dumani përgatit kushtet dhe krimin e kryen Talo Çela, duke dhunuar më pas prerë në fyt Fatmira Dedën.

Burime për Prapaskenën thanë se prokurori i çështjes së vrasjes së Elvis Dedes ka qenë Ndriçim Troplini.

Pse prokurori Ndriçim Troplini nuk dëgjoi një vit ulërimat e Fatmira Dedës, e cila tregonte me emër vrasësin e djalit, Festim Qolin, deri kur ky i fundit do të angazhohej për krimin e dytë?

Me çfarë justifikimi e ka pezulluar prokurori dosjen e vrasjes?

A e kanë nxjerrë qelizat telefonike Festim Qolin tek vendi i krimit dhe më pas tek vendi i djegies së makinës së krimit?

A ka kërkuar prokurori vënien nën përgjim Festim Qolin, personin që deponohej me ngulm nga Fatmira Deda?

A i ka hetuar përplasjet që kishin Festim Qoli dhe Elvis Deda, komunikimet e fundit etj?

Apo përgjigja e të gjitha pyetjeve është shuma 200 mijë euro?!

SPAK duhet të shtrijë hetimet tek prokurori i çështjes, lëvizja e parave, mundësia e investimit të parave të krimit në pasuri të paluajtshme, si e justifikon pasurinë, por jo vetëm tek prokurori i çështjes, por edhe tek punonjësit e policisë që kanë ‘dokumentuar’ ngjarjen dhe oficeri i policisë gjyqësore.