Ndryshim i papritur, Mbappe qëndron dhe rinovon. Detyron PSG të përfshijë klauzolë private

Në futboll, për më tepër në merkato, asgjë nuk është e sigurt. Kjo ishte një verë e nxehtë, ku lojtari më u përfolur edhe një herë ishte Kylian Mbappe, kjo pasi sulmuesi francez deklaroi publikisht se nuk do të rinovonte kontratën e tij me PSG. Ky vendim i “gjelit” më të famshëm bëri shumë buje, duke bërë që në Paris të shpërthente një “luftë e ftohte” mes tij dhe presidentit Al-Khelaifi.

Drejtuesit e klubit nuk e mbajtën më shumë se një javë presionin duke u dorëzuar përpara emrit dhe famës së Mbappe, pas një javë në tribunë e rikthyen menjëherë në fushë. Në mënyrë të papritur, në Francë dhe jo vetëm sjellin një version të ri në këto orë të fundit të merkatos. Mbappe ka ndryshuar mendim, jo vetëm që nuk dëshiron të largohet, por mund edhe të rinovojë kontratën e tij me PSG. Ylli francez me sa duket ka ndryshuar mendim pas kësaj vere ku nga Parisi u larguan Messi dhe Neymar.

Një rol përcaktues në këtë vendim ka pasur edhe drejtori sportiv i klubit, Luis Campos, i cili edhe pse në dyshim të fortë për të ardhmen e tij doli në krah të Mbappe. Gjithnjë sipas mediave evropiane, Mbappe mund të rinovojë kontratën e tij me dy vite, ndërsa do të përfshihet një klauzolë “private” për verën e ardhshme. Kujtojmë që Mbappe ka një kontratë të vlefshme me PSG deri më 30 qershor 2024.