Në Gjykatën e Lartë fillojnë detyrën 2 anëtarët e rinj, Sadushi: Ndihmon krijimin e kuorumit për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses

Artur Kalaja dhe Asim Vokshi kanë nisur sot detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Përmes një ceremonie të posaçme ata u bënë kështu anëtarët e 8 dhe të 9 të Gjykatës së Lartë.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi shprehu kënaqësinë për emërimin e dy gjyqtarëve të rinj në këtë gjykate, duke theksuar se emërimi i tyre do të ndihmojë jo vetëm në gjykimin e më shumë çështjeve gjyqësore, në të tria fushat (civile, penale dhe administrative) por edhe në krijimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai e vlerësoi angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë gjyqtarët më të mirë në Gjykatën e Lartë, proces i cili kërkon natyrshëm kohë dhe profesionalizëm. Z. Sadushi i uroi suksese gjyqtarëve të rinj në punën e tyre për dhënien e drejtësisë.