Në Londër janë të bindur: Tani Armando Broja duhet të luajë titullar

Armando Broja është kthyer më në fund në fushën e lojës dhe ka treguar se mund të bëjë diferencën, sado pak minuta të ketë në dispozicion. Lojtari mungonte që nga grumbullimi i tetorit kur u dëmtua me Kombëtaren por iu deshën pak minuta ne fushë për të lënë gjurmën e tij në supersfidën Çelsi-Mançester Siti.

Lëvizja mjeshtërore me të cilën fitoi penalltinë në shtesë, nga e cila u barazua rezultati në 4-4, ishte prova se Broja është përsëri i gatshëm që të luajë në nivelet më të larta dhe tani në Londër presin që atij t’i jepet shansi që të jetë edhe një herë titullar te Çelsi.

Portali “The Chelsea Chronicle”, që i kushtohet plotësisht klubit londinez, ka bërë një artikull ku shpjegon se Brojës duhet t’i jepet një mundësi nga Poçetino për të qenë titullar në sulm, pasi mund të përshtatet më mirë me Palmer.

Edhe pse Xhekson ka shënuar 4 gola në dy ndeshjet e fundit ndaj Totenhem dhe Mançester Sitit, në artikullin në fjalë theksohet se impakti i Brojës në lojë është ndryshe nga ai i titullarit aktual të bluve dhe sulmuesi shqiptar duhet të ketë mundësinë që të tregojë vlerat e tij që nga minuta e parë sapo të rifillojë kampionati.