Nga Gëtce te rreziku i dëmtimeve, Flik flet për lojtarët e grumbulluar: Do të jetë Botërori i… Mylerit

Hansi Flik e ka përmbyllur detyrën paraprake përpara nisjes për në Katar, fjala është për zgjedhjen e 26 lojtarëve, të cilët do të prezantojnë “Pancerat” në kompeticionin më të rëndësishëm në rang përfaqësuesesh, Botërori. Flik ka dashur të japë sqarim në deklaratën për shtyp, duke analizuar zgjedhjet e kryera, aty ku ftesa e Armel Bela-Kotaçap, Karim Adejemi, Jusuf Mukoko dhe Niklas Fylkryg përbënin surprizë, por prezenca e Mario Gëces u kthye në epiqendrën, së bashku me pritshmëritë ndaj veteranit Myler.

”Me Tomasin jam në kontakt të vazhdueshëm, ai ka një fizik të mirë dhe të shëndetshëm. Jam i bindur se ky do të jetë Botërori i tij. 33-vjeçari e ka dëshmuar se çfarë është i aftë të bëjë, aq më tepër kur është i uritur për t’u dëfryer në fushë”, citonte me nota sigurie ishtekniku i Bajernit. Tomasi, Katarin do ta ketë prezencën e 4- t, pas atij në Afrikë, Brazil dhe Rusi. “Plakushi” nga “Allianz Arena” vjen me statistika vërtetë interesante në këtë kompeticion. Gjatë 16 prezencave në 3 Botëroret e luajtura, Myler jo si një sulmues i afirmuar ka gjetur 10 herë rrugën e rrjetës, madje duke i shtuar edhe 3 asiste, por në edicionin e fundit nuk dëshmoi asgjë.

”Nuk kam asnjë diskutim mbi aftësitë e Mario Gëces. Takimet e fundit në Bundesligë kanë shfaqur versionin më të mirë. Termi më i përshtatshëm për ta përkufizuar është brilant. Përvoja e tij ka për t’u shërbyer talenteve të reja, në një ndërthurje mes brezash, çka do të na sillte sukses”, tha Hansi.

”Timo gëzon respektin maksimal mbi atë çka jep në fushë, por fati nuk ishte me të në këtë rast. Emri i tij do të ndodhej aty nëse do të ishte gati, pa asnjë dyshim. Shpresoj të rikthehet sa më shpejt në fushë”, citonte Flik ndaj beniaminit të padisponueshëm.

Jusuf dhe Niklas kanë dëshmuar se përse e meritojnë vendin mes 26 lojtarësh. Talenti i Dortmundit ka filluar të rritet ndjeshëm këtë sezon, edhe pse mosha e tij tregon tjetër gjë. Ndërsa mbi Fylkrygun vazhdoj të ruaj të njëjtin mendim, sulmues i kompletuar. Ai mund të shënojë me të dyja këmbët, pa anashkaluar finalizimet me kokë që i ka vërtetuar këtë sezon me Verderin në Bundesligë”. ”Problemi në sy i përket së shkuarës, kjo vjen pas analizave dhe rezultateve. Antonio shfaq siguri, qoftë në mbulim ashtu edhe në koordinimin me repartin difensiv”, theksonte strategu.

”Është gjëja e fundit që mendoj. Ka ende edhe një javë kampionat dhe gjithçka mund të ndodhë, por të jem realist nuk do të dëshiroja të formuloja edhe një herë listën me gjetjen e zëvendësuesve, nëse do të nevojitej. Rregullorja nga FIFA përcakton se lojtarët e dëmtuar mund t’i zëvendësojmë deri në 24 orë përpara fillimit të turneut”, përfundoi tekniku i Gjermanisë.

“Pancerat” e nisin Botërorin në 23 nëntor ndaj Japonisë, për të vazhduar me Spanjën në 27 dhe e mbyllin rrugëtimin në fazën e grupeve përballë Kosta Rikës në 1 dhjetor.