Nga kërkesa për t’u larguar te vizita mjekësore në Rumani, zbulohen prapaskenat e shitjes së Tonalit drejt Njukasëllit

Transferimi i Sandro Tonalit te Njukasël li është çështje orësh siç e dëshmon edhe takimi i kryer dje mes drejtuesve kuqezi dhe homologëve të tyre nga Njukasëlli. Anglezët kanë ofruar 70 milionë euro për kartonin dhe disa bonuse që mund ta çojnë përfitimin e kuqezinjve në thuajse 85 milionë euro.

Për lojtarin një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 6 milionë euro në sezonin e parë për të arritur në thuajse 10 me kalimin e kohës. Për tifozët ishte flamuri i një klubi që në pak javë humbi Ibrën, Maldinin dhe një president si Berluskoni, por prapaskenat e fundit nga Italia e lidhin këtë transferim në mënyrë direkte me Tonalin, i cili thuhet të ketë qenë nismëtari i gjithçkaje.

Ndoshta edhe i zhgënjyer nga situata në klub e prej largimit të një pikë referimi si Maldini, mesfushori ka kërkuar të shitet.

BLICE ANGLEZE – E ardhmja e 22-vjeçarit me shumë gjasa do të jetë te Njukasëlli, por siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, për të ka pasur një tentativë edhe nga një tjetër klub anglez.

Bëhet fjalë për Çelsin që ka treguar interes për të përfshirë në negociata para dhe shkëmbime teknike të vlerësuara nga “djalli” si Kristian Pulisiçi, Ruben Loftus-Çiku apo edhe Çezare Kazadei.

Në fund ka ardhur goditja vendimtare e Njukasëllit që pasi mori miratimin e Tonalit kontaktoi menjëherë kuqezinjtë me ofertën e parefuzueshme.

Në këto momente, një grup përfaqësuesish të “qymyrxhinjve” po përgatiten të nisen për në Rumani, ku mesfushori i Milanit ndodhet me Italinë U21 për Europianin e grupmoshës përkatëse. Pritet vetëm miratimi në akordin për bonuset përpara se emisarët anglezë të nisen për t’i kryer vizitat mjekësore futbollistit.

Kjo nuk është hera e parë që Njukasëlli vepron në këtë mënyrë, pasi edhe një vit më parë bëri të njëjtën lëvizje për Bruno Gimaraeshin, i cili ishte gjithashtu me kombëtaren e Brazilit, por në fund marrëveshja u mbyll me sukses.