Nga Montolivo te Zenga, të gjithë dalin kundër Inzagit për mosaktivizimin e Asllanit

Kur të gjithë prisnin ta niste titullar pas një paraqitjeje fantastike ndaj Parmës, Simone Inzagi e “dënoi” edhe një herë tjetër Kristjan Asllanin me stolin. Mesfushori ama u sigurua që edhe në vetëm 20 minuta, të ishte shkëndija e vetme e Interit në pjesën e dytë, duke e bërë trajnerin e tij t’i vendosë duart në kokë pas asaj silure që shkoi ngjitur me shtyllën.Zgjedhja e 44-vjeçarit ka ngjallur një sërë reagimesh në opinionin sportiv në vendin fqinj, aty ku nuk kanë munguar elozhet për elbasanasin.

“Kristjan Asllani ka luajtur shumë pak. Nuk po them që është më i miri i të gjitha kohërave, por Inzagi duhet t’i japë mundësinë të shprehë potencialin e tij”, është shprehur ishmesfushori Rikardo Montolivo, një mendim që u pasua nga një tjetër ish-lojtar, ai i Marko Andreolit, ishmbrojtës i zikaltërve që u shpreh: “Interi nuk i ka vuajtur mungesat, sepse ka një organikë shumë të pasur. Ka një të ri shumë të rëndësishëm si Asllani në mesfushë, që nuk po gjen hapësira, por nuk zhgënjen në aktivizim”.

Në fund edhe Valter Zenga ka analizuar minutazhin e ulët të Asllanit: “Asllani ka luajtur në disa role të ndryshme që në fillim të sezonit dhe ka nevojë për të tjera minuta, edhe pse Inzagi me sa duket nuk dëshiron ta hedhë në fushë në rol tjetër veç atij të regjisorit. E kemi parë që nuk i pëlqen shumë alternimet”.