Ngjarja e rëndë/ 23-vjeçarja i ngul thikën 38-vjeçarin, Policia zbardh dyshimet

Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur në Ferizaj të Kosovës mbrëmjen e djeshme. Bëhet me dije se një 23-vjeçare, ka qëlluar me thikë të dashurin e saj 38-vjeçar për motive xhelozie.

Sipas policisë së Kosovës, 38-vjeçari është transportuar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spital, ndërkohë që e dyshuara, pasi u intervistua nga hetuesit rajonal, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, po vijon punën për të mbledhur dëshmi dhe materiale për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

“Në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja është arrestuar personi i dyshuar me inicialet E.H (F/K) e moshës 23 vjeçare, e cila kishte therur me një mjet të fortë (thikë) personin tjetër me inicialet P.A (M/K) i moshës 38 vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.