– Mendoj se do të më duhet të ndahem nga ai – i thashë motrës pasi që atë pasdite u ktheva në shtëpi. – Hajde, bre! Mos u bëj budallaqe! – më sulmoi motra. – Ti ende nuk ke biseduar me të, ende nuk e ke dëgjuar versionin e tregimit të tij. – E, sa versione mund t’i ketë e vërteta? – u shfryva në të. Pse ajo e mbronte Fatmirin me aq zell? – E di, por megjithatë. Më duket se je duke i bërë hesapet pa hanxhiun – tha ajo. Ndoshta motra kishte të drejtë. Ndoshta duhej të bisedoja për gjithçka haptazi me burrin tim, por kjo nuk ishte aq e lehtë.
Të paktën, jo pa dëshmi konkrete. Derisa isha zhytur në mjerim të thellë dhe nëpër kokë më kalonin të gjitha variantet e mundshme dhe të pamundshme të shkurorëzimit, të nesërmen në autobus ndodhi diçka krejt e papritur. Sikur edhe çdo mëngjes, në mesin e fytyrave të ndryshme, sytë vetvetiu më shkuan te dy vajzat e njohura. Ato bisedonin me zell. Leshverdha ishte duke i treguar diçka të gëzueshme shoqes së saj, derisa ajo gojëhapur përpinte çdo fjalë të shoqes së saj. Me gjasë ia tregonte skenat e nxehta që i kishte bërë me burrin tim, mendova, duke hetuar sesi mu terruan sytë. Si edhe rëndom, deri te ato u afrova dalëngadalë. Ishte tollovi e madhe. – Hej, a nuk mund të shikoni pak?! Këtu ka edhe njerëz të tjerë, e dini?! – u shfry në mua një grua e trashë, të cilën, pa dashje, e kisha shtyrë me bërryl.
As që ia vura veshin bullafiqes. Shikimi im u fiksua te biondina. E, ajo në ato momente qeshte me aq zemër, saqë i shiheshin të gjithë dhëmbët. Pasi që arrita te to, vajzat në fillim u ndalën dhe më shikuan me habi. Natyrisht se, në ndërkohë, edhe unë për to isha bërë fytyrë e njohur. Një grua e çuditshme e cila iu afrohej çdo mëngjes. Derisa ato bisedonin për disa çështje të rëndomta, unë vloja përbrenda. Më vinte që ta kapja atë meçkën leshverdhë nga flokët e gjata, e të bukura, duke i thënë që të hiqte dorë nga burri im. Në anën tjetër, më tmerronte ideja që të shkaktoja skandal në autobus.
Tanimë mund të paramendoja sesi do të kaloja. Të gjithë do të qeshnin me mua dhe do të fillonin të mbanin anë. Ata më të vjetrit me gjasë do të ma mbanin anën mua, e të rinjtë do të radhiteshin prapa biondinës. Jo, jo, mendova. Kjo nuk duhej të ndodhte kurrë.
E, çka nëse i përcjell dhe i sulmoj pasi që të dalin nga autobusi? Kjo tanimë ishte një variant i pëlqyer. Kështu do të bëja, vendosa. Zieja si një tenxhere “ekspres” e kohëve të shkuara. Tanimë kishim kaluar vendin ku duhej të zbrisja. Me gjasë tani do të mbërrinim te stacioni i tyre, mendoja derisa e dëshpëruar kërkoja ndonjë ventil, që ta hapja e të mos eksplodoja. – Eh, tani mu kujtua! – tha biondina duke i mëshuar ballit me dorë. I mpreha veshët. – Ka ditë që e mbaj në çantë dhe çdoherë harroj të ta tregoj Foton e të dashurit tim!