Por duke analizuar se cila ishte ecuria sulmuese e kuqezinjve, duhet të fokusohemi në situatën e Olivie Zhirusë. Premisa themelore: numri nëntë francez është kampion dhe është një nga liderët e dhomave të zhveshjes, por pikërisht për shkak të pritshmërive të mëdha që ushqehen rreth tij, veçanërisht kur topi gjendet në zonën e penalltisë, ka zhgënjim në fakt që nuk arrin të shënojë. Por në përgjithësi, duke parë ndeshjet kundër Njukasëllit dhe Dortmundit, ka një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh. Në moshën 37-vjeçare, Zhiru ka nevojë të arrijë 100 për qind i pushuar në ndeshje të caktuara.
PO SIKUR OKAFOR? – Në verë, “djalli” u përpoq të nënshkruante me një qendërsulmues (Mehdi Taremi nga Porto), por iu desh të rikthehej ndaj Luka Joviçit, i cili mbërriti në kushte më pak se optimale. Ishte e qartë për drejtuesit kuqezi se kishte nevojë për të ngritur stekën, por tekat e portugezëve gjatë negociatave hodhën në erë gjithçka. Por në merkato mbërriti edhe Noah Okafor, i cili po përmirësohet në formë dhe që në ndeshje si ajo e së mërkurës, ku nevojitet një ritëm i lartë, mund të jetë burim. Në “Milanello” janë të bindur se ishlojtari i Salcburgut mund të rritet shumë në rolin e pykës, por për ta bërë këtë do t’i duhet vazhdimësia dhe të luajë disa ndeshje të Serisë A si titullar. Nesër do të jetë radha e tij ndaj Xhenoas, por është pas pushimit të kombëtareve që Pioli do të duhet të bëjë zgjedhje të menduara për të menaxhuar energjitë mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve.
KOHA E DUHUR – Në këto rrethana nevoje, trajneri do të thirret të alternojë formacionin mes Zhirusë dhe Okaforit edhe në ndeshje të rëndësishme, sepse francezi nuk mund të përballojë më dy sfida “me intensitet të lartë”, ndërsa Noah duhet të shtojë përvojën e tij të pasur me ndeshje të kalibrit më të lartë e të jetë në gjendje të zhvillohet më tej. Fusha dhe karta e identitetit, më shumë se fjalët dhe idetë, thuajse nuk gënjejnë kurrë dhe në Dortmund u pa se Zhiru ka marrë rrugën që tashmë ka ndjekur Ibrahimoviçi, pikërisht atë të menaxhimit të forcës fizike dhe mendore. Duhet “guxim” për të përmbysur disa hierarki, por ka ardhur koha.