Një penallti në fund shpëton Barcelonën, Levandovski i jep fitoren në transfertë

Barcelona ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat, por ka vuajtur shumë për të siguruar këto tre pikë që e afrojnë përsëri me Realin kryesues. Skuadra e drejtuar nga Çavi ka triumfuar me shifrat 2-1 përballë Osasunës, në një ndeshje që është zgjidhur vetëm në minutat e fundit të saj.

Pritej një duel i vështirë dhe ashtu ishte për katalanasit, pasi Osasuna kërkoi me çdo mënyrë edhe ajo që të merrte një rezultat të rëndësishëm. Goli i avantazhit për Barcelonën erdhi vetëm me anë të Kunde në shtesën e pjesës së parë.

Por Osasuna reagoi dhe ia doli të vendoste barazinë në shifra kur regjistrohej minuta e 76-të, me anë të Avila. Megjithatë, një mbajtje nga Katena në zonën e Osasunës solli të kuqin për lojtarin e vendasve dhe një penallti për katalanasit. Levandovski nuk gaboi nga pika e bardhë dhe i dha kësisoj fitoren skuadrës së tij në këtë sfidë.