Arrestimi dhe akuzimi i katër personave në lidhje me një hetim kundër korrupsionit që përfshin anëtarë të Parlamentit Evropian dhe një shtet të Gjirit, që thuhet se është Katari, mund të tronditë “Brukselin”, ose më saktë të gjithë politikën europiane.
Disa eurodeputetë, duke përfshirë një nga nënkryetaret e parlamentit Eva Kaili, e cila u mbajt në paraburgim të dielën, janë akuzuar se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga një vend i Gjirit që raportohet se është mikpritës i Kupës së Botës, Katari. Ndërkohë nga ana tjetër Doha i ka mohuar akuzat.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i përshkroi zhvillimet e fundit si “shumë shqetësuese” teksa mbërriti në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
“Një hetim është duke u zhvilluar dhe ne po e ndjekim atë”, tha ai. “Këto janë akuza shumë të rënda”.
“Ky është një skandal që ne duhet ta çojmë në fund, në mënyrë që të sigurohemi që të mos ndodhë më”, tha ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney, duke bërë thirrje për një “hetim të plotë dhe transparent”.
Qeveria greke lëvizi të hënën për të ngrirë asetet e Kailit, raportoi AFP. Politikani grek është përjashtuar gjithashtu nga Socialistët dhe Demokratët e Parlamentit Evropian dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë PASOK të Greqisë.
Bashkëpresidenti i grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Philippe Lamberts, bëri thirrje për një hetim parlamentar dhe që çështja e korrupsionit të ngrihet këtë javë në seancën plenare të asamblesë së vitit të fundit të BE-së.
Niels Fuglsang, një eurodeputet me Partinë Social Demokratike Daneze, vuri në dukje efektin e dëmshëm që ky skandal mund të ketë në bllok.
“Nëse ne mund të blihemi. Nëse anëtarët e Parlamentit Evropian dhe politikanë të tjerë mund të blihen për të thënë gjëra të caktuara, për të votuar në mënyra të caktuara… Është një turp dhe e bën Evropën më të dobët,” tha ai për Euroneës.
“Pra, është në interesin e të gjithëve që të arrijmë deri në fund të kësaj dhe të miratojmë rregulla për t’u siguruar që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin kurrë [më]… Kjo [ajo që ndodhi] është shumë e gabuar dhe ne kemi një punë të madhe dëmshpërblimi për të bërë”, shtoi më tej ai.
Kjo aferë është “e turpshme dhe e patolerueshme” dhe dëmton “shumë seriozisht” reputacionin e Parlamentit, tha të dielën komisioneri i ekonomisë së BE-së Paolo Gentiloni.
Politikanët francezë të krahut të majtë kanë kritikuar “skandalin si shumë të rëndë”, me eurodeputetin Manon Aubry (E majta), duke kërkuar një debat mbi këtë çështje dhe duke kritikuar “lobimin agresiv” nga Katari.
Të premten, policia belge organizoi 16 bastisje në të gjithë Brukselin. Janë sekuestruar rreth 600 mijë euro para kesh, përveç pajisjeve kompjuterike dhe telefonave celularë.
Ato erdhën mes hetimeve mbi dyshimet për pagesa “të konsiderueshme” të parave nga shteti i Gjirit për të ndikuar tek eurodeputetët.
Zyra e prokurorisë federale belge nuk e përmendi vendin, por një burim i afërt me këtë çështje konfirmoi për AFP se ishte Katari, për të cilin kanë raportuar edhe media të tjera.
Më pas Kaili është arrestuar dhe akuzuar. Dhe asaj i është hequr detyra si nënkryetare e Parlamentit Evropian.
Tre personat e tjerë që janë akuzuar mbeten pa emër. Por AP raportoi se numri i tyre përfshin një ligjvënës të BE-së dhe një ish-anëtar.
Disa ekspertë kanë argumentuar në dritën e skandalit se BE-ja tani duhet të forcojë legjislacionin e saj kundër korrupsionit.
“Unë do të besoja – dhe besoj – se do të ishte shumë e rëndësishme që BE të mendojë seriozisht për këto çështje dhe të përgatitet për situata të tilla në të ardhmen,” tha për Euroneës Tamás Lattmann, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane.
“BE të propozojë një lloj legjislacioni të vetin për të trajtuar situata të tilla dhe për ta bërë bashkëpunimin e mundshëm me autoritetet e shteteve anëtare shumë më të qetë dhe deri diku më të garantuar.”, shtoi ai.
Para se të shpërthente skandali, asambleja po shqyrtonte hyrjen pa viza në zonën Shengen për qytetarët e Katarit.
Por Partia Popullore Evropiane, Social Demokratët, Liberalët dhe të Gjelbërit kanë bërë thirrje që atëherë për pezullimin e votimit të asamblesë për këtë çështje.
Akuzat vijnë në një kohë të ndjeshme për Katarin, pasi ai pret Kupën e Botës. Shtetit të Gjirit tashmë i është dashur të luftojë kundër pretendimeve rreth abuzimeve të dyshuara të të drejtave të njeriut, të punëtorëve emigrantë dhe komunitetit LGBT+.
“Çdo pretendim për sjellje të pahijshme nga ana e shtetit të Katarit dëshmon për keqinformim serioz”, tha një zyrtar i qeverisë së Katarit për AFP të shtunën.