Nuk shënon në kampionat që prej 13 gushtit, Lukaku gati për t’i dhënë fund agjërimit 6-mujor

Interi do të përballë sot në mbrëmje në “Luixhi Ferarris” Sampdorian për t’i dhënë vazhdimësi momentit pozitiv dhe për të forcuar pozitën si vendi i dytë i kampionatit.Inzagi do të ketë një skuadër të kompletuar për transfertën me Hoakin Korrean si mungesën e vetme, por mbi të gjitha trajneri dhe zikaltrit priten të shijojnë rikthimin në fushë nga minuta e parë të Romelu Lukakut dhe Marselo Brozoviçit.

Belgu do t’i bashkohet “binjakut” të tij në sulm, Lautaro Martinez, duke qenë kështu titullar për herë të parë që nga 4 janari në kampionat përballë Napolit dhe do të synojë që t’i bashkohet ecurisë fantastike të argjentinasit për sa i përket shkundjes së rrjetës.

Ndërsa “Demi” ka qenë i pagabueshëm para portës gjatë gjithë 2023-shit, Lukaku duhet ende të kalibrojë shënjestrën.

Goli i fundit i belgut në Serinë A daton më 13 gusht, në sfidën e parë në kampionat kundër Leçes, 6 muaj më parë. Që prej asaj dite, për 29-vjeçarin periudha ka qenë e errët falë dëmtimit të dyfishtë në kofshën e majtë dhe atij problemi në gju.

Sidoqoftë, dëshira për të treguar se ende mund të bëjë diferencën dhe për të fituar qëndrimin edhe për një vit në Milano duke qenë se huazimi aktual skadon në qershor, kanë qenë shtysa kryesore e belgut gjatë kësaj periudhe që ka bërë maksimumin e tij për t’u rikthyer në formë optimale.

Nëpërmjet përgatitjeve fizike dhe psikologjike të vazhdueshme falë stafit të Interit dhe terapistëve personalë, “Big Rom” duket se ia ka dalë të rikuperojë formën fizike, siç ka treguar në minutat që ka luajtur si zëvendësues, kurse tani do të synojë t’i japë fund agjërimit të tij 6-mujor dhe të gjejë golin, i cili mund t’i rikthejë besimin dhe të ndryshojë sezonin e tij.

BROZOVIÇ – Në të njëjtën situatë me Lukakun është edhe Brozoviç, që sot pritet të rimarrë rolin e tij në regji, 148 ditë nga hera e fundit si titullar, kur përballej më 18 shtator me Udinezen.

Bardhezinjtë do të jenë kundërshtari i fundjavës së ardhshme, por deri atëherë kroati kërkon të rikuperojë kohën e humbur si fillim ndaj Sampdorias, duke u bërë sërish pronar, jo vetëm i regjisë, por edhe i shiritit. Kapiteni Brozoviç shpreson të jetë edhe një herë tjetër lider i këtij Interi.