Sulmuesi i Milanit, Olivie Zhiu ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzeta Dello Sport” teksa është ndalur tek ky sezon dhe jo e ardhmja e tij. Francezi u shpreh se objektivi i tij nuk janë golat, por të fitojë Ligën e Europës.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë me të ardhmen. Por, ajo që mund të them me siguri është se te Milani ndjehem mirë. Kam bërë gjëra të mëdha këtu, kjo e jona është një histori dashurie. Nuk kemi folur ende në lidhje me rinovimin e kontratës, më e rëndësishmja tani është te jemi të fokusuar te objektivat e klubit.
E ardhmja në Amerikë? Ka edhe vende të tjera, në verë do të shfaqen mundësi të reja dhe unë do të marrë një vendim si futbollist, por edhe si familjar.
Tani të mendojmë për kampionatin, Interi dhe Juventusi po bëjnë shumë mirë. Do të tentojmë t’i ndjekim dhe të jemi pranë tyre në prill, kur edhe na presin përballjet direkte. Tani duhet të mendojmë vetëm që të marrim sa më shumë pikë, është e vështirë ta mendosh titullin në këtë moment.
Liga e Europës? Është një trofe që do të tentojmë ta fitojmë, edhe sepse mungon në sallën e trofeve të Milanit.
20 gola në sezon? Është një kuotë që mund ta arrij, por nuk vendos kufij për numrin e golave që mund të shënoj, do të më pëlqente të arrija një numër dyshifror edhe te asistet”, tha ndër të tjera 37-vjeçari.