Ka mbërritur pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme ish-kryeministri Sali Berisha, ku do të merret në pyetje për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Deputetë të “Rithemelimit” dhe simpatizantë të tij, e kanë pritur me thirrjet “O Sali, o hero, e gjithë Shqipëria ty të do”, teksa ai ka ndaluar për t’i përshëndetur.
“Opozita do fitojë . Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, shqiptarët, pluralizmit. Jam këtu për të denoncuar Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë. Ne do fitojmë. Fitore!”, tha ai.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.