Olti Çaci “padroni i Sarandës” që noton në korrupsion dhe fshehje të ardhurash, ndërsa qytetarët mbyten në varfëri dhe beton

Në qytetin bregdetar që dikur njihej për bukuritë natyrore dhe mikpritjen, sot sundon një figurë që nuk ka më asgjë të përbashkët me shërbimin publik.

Ai nuk është më një kryetar bashkie, por është shndërruar në Padronin e Sarandës, një njeri që komandon qytetin si pronë private, ndërton pasuri me ritme mafioze dhe sillet si të ishte vetë shteti.

Olti Çaci, në vend që të jetë në krye të interesit publik, është në majë të një perandorie të paligjshme me pasuri që kapin mbi 10 miliardë lekë. Vila, hotele, resorte, dyqane, njësi tregtare e garazhe, të gjitha të lidhura me të dhe njerëzit e tij të afërt. Asgjë nuk është transparente, asgjë nuk është e justifikuar.

Saranda po përmbytet nga ndërtimet pa kriter, nga betonizimi i egër dhe rrënimi urbanistik. Në çdo skaj të qytetit, fadromat punojnë për interesa të errëta, ndërsa padroni merr hisen, firmos lejen dhe mbyll telefonin. Kjo nuk është administratë publike është një regjim lokal, me një sundimtar të vetëm dhe qytetarë të dorës së dytë.

Askush nuk guxon të flasë. Të gjithë e dinë, por askush s’e thotë: çdo shërbim, çdo leje, çdo tender, çdo tokë e ndërtueshme, kontrollohet nga rrjeti i “Padronit”.

Çaci, pavarësisht gjithë pasurisë marramendëse që rritet përditë, nuk ka dhënë kurrë llogari. Ai nuk është hetuar, nuk është pyetur, nuk është ngacmuar nga asnjë institucion. Sepse kur je padron je mbi ligjin. Ai fsheh pasurinë përmes emrave të tretë, ndërmarrjeve fiktive dhe marrëveshjeve “gojore”, por efekti është real, qyteti rrënohet, ndërsa pasuria e tij shtohet.

Kryetari i Sarandës nuk është i zgjedhur për të shërbyer, por për të shfrytëzuar. Mandati i tij është një investim personal me kthim të sigurt financiar. E ardhmja e qytetit është marrë peng nga etja për pasuri e një njeriu që e ka shndërruar Sarandën në një çiflig modern.

Saranda ka nevojë për shërbim, jo për sundim. Për zhvillim të qëndrueshëm, jo për beton të paligjshëm. Për llogaridhënie, jo për pasuri të fshehur. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për drejtësi që sheh, dëgjon dhe vepron, jo që i bie gjumit në luksin e ndërtuar me votat e qytetarëve.