Partizani do të zbresë sot në fushë në “Air Albania” kundër BATE Borisov në Ligën e Kampioneve. “Demat e kuq” do të synojnë maksimumin në ndeshjen e parë, për të pasur gjithçka të lehtë në ndeshjen e kthimit që do të luhet në Hungari.
Partizani rikthehet në Ligën e Kampioneve pas 6 vitesh, duke siguruar jo vetëm pjesëmarrje në një kompeticion prestigji por edhe të ardhura të konsiderueshme. Të kuqtë do të luajnë para tifozerisë që pritet të jetë e shumtë në stadium, duke ditur edhe rëndësinë e ndeshjes dhe sezonin e fundit, tifozeria ka treguar se është aty sa herë që skuadra ka nevojë.
Takimi do të nisë në orën 20:45 dhe do të transmetohet direkt në “MCN TV”. Mbrëmja e sotme mund të themi se nuk do të jetë ideale për të luajtur një ndeshje futbolli për shkak të temperaturave. Tashmë që jemi në mesin e stinës së verës, i nxehti afrikan ka pushtuar vendin dhe temperatura në stadiumin “Air Albania” pritet të jetë rreth 27 gradë celsius, me një mot tërësisht të kthjellët. Gjithsesi, duhet thënë se më shumë se për Partizanin, moti i nxehtë mund të jetë problem për kundërshtarët.