Pasi theu dhe po e dërgon në shifra stratosferike rekordin e golave që i mori me meritë iranianit Ali Daei, mbrëmjen e sotme, në sfidën e parë eliminatore për “Euro 2024” kundër Lihtenshteinit, Ronaldos i mjaftojë qoftë edhe 1 sekondë në fushën e lojës për të çuar prezencat e tij me kombëtaren portugeze në 197 takime dhe do të vendosë kështu rekordin e ri. Deri më sot, ai ndan poltronën me kuvajtianin AlMutava, por nga sot Kristiano do të bëhet futbollisti me më shumë prezenca në përfaqësuese në historinë e futbollit dhe ky fakt, por edhe ndryshimi në stolin e Portugalisë, duket se e kanë “rinuar” 38-vjeçarin, që tashmë luan tek Al-Nasr në Arabinë Saudite.

Ëndrra e Anglisë për të fitu ar trofeun e parë që prej vitit 1966 rinis sot me ndeshjen e parë kualifikuese në “Euro 2024”, e cila nis me një sfidë delikate kundër kampionëve në fuqi të Europës, Italisë.Dhe “tre luanët” janë dyfish të motivuar për të tentuar një fitore sot në Napoli, pas finales së humbur në “Wembley” në verën e 2021.

Por pas arritjes në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalen e tre turneve të rëndësishëm, gjithçka më pak sesa trofeu për t’i dhënë fund pritjes 58- vjeçare, do të ishte një zhgënjim për britanikët.

Talenti i Arsenalit Saka dhe ai i Dortmundit Bellingam janë dy prej yjeve të së ardhmes dhe e treguan edhe në Botërorin e Katarit. Kejn është një gol larg historisë, ndërsa Rashford është duke përjetuar sezonin më të mirë të karrierës me Junajtidin.

Por dëmtimi i sulmuesit ka bërë që Anglia të jetë pa shërbimet e tij në këto dy ndeshje, ndërsa Sauthgejt do të vendosë sot se cili do ta zëvendësojë mes Fodenit dhe Grilishit.

“Këto lloj ndeshjesh janë ato ku duhet të tregojmë se ne mund të shkojmë në vende të tilla dhe fitojmë”, tha Sauthgejti në lidhje me rivalët e sotëm.

“Ky është hapi i radhës për ne si skuadër. Kjo është sfida e madhe që ne kemi përpara. Në Botëror të gjithë donin që të ishin atje dhe të luftonin për t’u futur në këtë skuadër. Uria dhe konkurrenca ishte e jashtëzakonshme dhe e qartë. Por tani nisim një tjetër fushatë dhe duhet t’ia nisim nga e para”, tha tekniku i anglezëve.