Pavel Nedved kërkon t’i japë ende shpresë Masimiliano Alegrit për një të ardhme te Juventusi, ndonëse për herë të parë një nga drejtuesit e lartë të klubit nuk mohojnë zërat e shumtë që flasin për një rikthim të mundshëm të Antonio Kontes në Torino:
“Pozicioni ynë si klub është gjithmonë i njëjti, pasi Alegri ka besimin e plotë të shoqërisë, por edhe të futbollistëve. Gjithsesi, në të njëjtën kohë është gjithashtu normale që të dëgjohen edhe zëra që flasin për Konten, madje më besoni se ndoshta në vazhdim nga juve të medias mund të dalin edhe të tjerë.
Por ne si klub duam t’i japim mundësinë Alegrit që të punojë, duam t’i japim mundësinë që të korrigjojë punën e tij, ndonëse situata nuk është aspak normale dhe e kënaqshme për historinë tonë si klub.
Gjithsesi, kemi ende objektiva për të arritur dhe duam që të mos shtojmë presion të kotë në radhët e grupit.
Kemi një Ligë Europe për të arritur tashmë, por në të njëjtën kohë edhe në kampionat e dimë se mund të përmirësojmë atë çfarë po bëjmë dhe mos harrojmë pastaj se është edhe Kupa e Italisë.
Kështu që kemi ende tri objektiva për të arritur, prandaj Alegri vetëm duhet të qëndrojë i qetë dhe të punojë.
Ai ka padyshim përgjegjësitë e tij për situatën, por me aq shumë dëmtime sa kemi vuajtur, është normale që edhe ai nuk ka mundur asnjëherë që të punojë në bazë të ideve që kishte”, tha zëvendëspresidenti.