PD kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Bledi Çuçit, Noka: Djali i ministrit u arrestua në Itali

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka denoncoi skandalin e përfshirjes së djalit të Çuçit në trafik ilaçesh nga Italia dhe falsifikim dokumentesh.

Noka tha se arrestimi i Endi Çuçit u mbajt i fshehtë, ndërsa akuzoi strukturat e policisë se kanë lejuar aktivitetin kriminal të djalit të ministrit.

Deklarata
Për qeverinë e Edi Raëms është e vështirë të kalojnë ditë pa afera korrupsioni, kriminale, pa trafik. Në çdo aferë kriminale, në çdo trafik dalin ministra, deputetë, kryebashkiakë të Rilindjes, vëllezër, fëmijë apo të afërm të ministrave të qeverisë Rama.

Sot jam këtu para jush për të denoncuar para qytetarëve shqiptarë një tjetër skandal të rëndë ku është përfshirë djali i ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, zoti Bledi Çuçi, një skandal që prej kohësh u është mbajtur i fshehur shqiptarëve dhe opinionit publik.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi vazhdon të qëndrojë në detyrë pavarësisht se djali i tij është faktuar si i përfshirë në trafikun e ilaçeve nga Italia në kulmin e pandemisë. Dhe akoma më keq, Edi Rama, njësoj siç mbrojti Saimir Tahirin të përfshirë në trafik droge, njësoj siç mbrojti Fatmir Xhafajn për të vëllanë trafikant droge, njësoj siç mbrojti shumë deputetë, kryebashkiakë dhe trafikantë të tjerë shkelës të ligjit, ashtu vazhdon të mbrojë duke bërë gjithçka për mbajtur të fshehur skandalin e përfshirjes së të birit të Bledi Çuçit në një aferë kriminale trafiku në Itali dhe të mbajë përsëri ministër Bledi çuçin edhe pasi i biri u faktua si i përfshirë në një skemë kriminale trafiku. Nëse në Shqipëri do të kishte shtet dhe demokraci funksionale dhe nuk do të kishte regjim, Bledi Çuçi nëse s’do të dorëhiqej, do të duhej të ishte shkarkuar menjëherë.

Është fakt se djali ministrit ka kaluar në Itali me dokumente të falsifikuara, me qëllim transportin e ilaçeve, pjesë e skemës së abuzimit prej 600 mijë eurosh. është faktuar nga fashikujt e përgjimeve të prokurorisë italiane.

Këto fakte të pamohueshme të implikimit të Endi Çuçit si trafikant ilaçesh duhet të kishin sjellë sot domosdoshmërisht dorëheqjen e babait të tij, ministër i Brendshëm.