Interi do të presë sot në mbrëmje Empolin në “San Siro”, në sfidën e fundit të fazës së parë për të dyja skuadrat, që kërkojnë t’u japin vazhdimësi rezultateve pozitive të një jave më parë. Por 90 minutat që do të vlejnë tri pikët, do të kenë një vlerë tejet të veçantë për Kristjan Asllanin që sot do të përballet për herë të parë me ish-skuadrën e tij, me klubin në të cilin u rrit dhe prej nga u largua në verë për të veshur fanellën zikaltër.Mesfushori nuk mundi të qëndronte indiferent ndaj sfidës dhe përmblodhi gjithë emocionet e tij në një postim në profilin e tij zyrtar në “Instagram” mbrëmjen e djeshme, kur i shoqëroi dy fotot (një me fanellën e Empolit e një me të Interit) me komentin: “Nuk harroj kurrë nga vij. Nesër (sot) do të jetë një ditë speciale”.
E për ta bërë edhe më speciale ka menduar Inzagi, që duke pasur parasysh paraqitjet e fundit të mesfushorit dhe kalendarin e ngjeshur, po ideon hedhjen në fushë të mesfushorit që nga minuta e parë.
Sipas “Corriere dello Sport”, trajneri do ta marrë vendimin vetëm nesër në mëngjes, por shtrydhja e Çalhanoglusë në ndeshjet e fundit, mund të bëjë që shqiptari të jetë regjisori i skuadrës krah Barelës e Mikhitarianit.
Ashtu si Asllanin, Inzagi pritet të rikthejë në korsi Dumfrisin e Gosensin me Lautaron e Xhekon që priten të udhëheqin sulmin për t’i dhuruar Interit një tjetër fitore.REKORDI I INZAGIT – Interi do të marrë forcë edhe nga “San Siro”, që deri më tani ka rezultuar një fortesë në shumë drejtime për zikaltrit.
Vetëm 4 gola janë pësuar në “San Siro” prej 24 golave në total të pësuar në kampionat, një numër që shkon paralelisht me performancën e Interit dhe të vetë Inzagit.
Ky binom, që nga formimi i tij ka qenë më i suksesshmi në Itali në ndeshjet e luajtura në Milano në kampionat, pasi që prej ardhjes së Simone Inzagit në krye të zikaltërve dy vite më parë, Interi është ai që ka fituar më shumë ndeshje në shtëpi (22 nga 28) duke u bërë kështu skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë (69, të paktën shtatë më shumë se çdo skuadër tjetër).
Përveç këtyre, edhe ofensiva zikaltër ka qenë e pandalshme në shtëpi, duke shënuar plot 69 herë gjatë një sezoni e gjysmë, më shumë se çdo skuadër tjetër.
Duke iu rikthyer kundërshtarit, Interi ka pasur sukses absolut në sfidat e fundit ndaj Empolit, edhe pse toskanët i besojnë janarit, siç tregojnë statistikat.
STATISTIKAT – Interi i ka fituar të nënta ndeshjet e fundit të Serisë A kundër Empolit, me rezultatin e përgjithshëm 20-7. Suksesi i fundit i ekipit toskan kundër zikaltërve daton më 30 prill 2006, 1-0 me një autogol të Marko Materacit.
– Empoli ka mbetur i pamposhtur në tri nga pesë takimet e fundit në Serinë A kundër Interit në janar, falë një suksesi 1-0 në 2004-ën dhe dy barazimeve, respektivisht në 1998-ën dhe 2015-ën.
– Empoli fitoi ndeshjen e fundit të kampionatit 1-0 kundër Sampdorias, toskanët nuk kanë arritur dy fitore radhazi në Serinë A që nga dhjetori 2021-shit).
– Vetëm Atalanta (tetë) ka shënuar më shumë gola nga jashtë zonës se Interit dhe Empolit këtë sezon në Serinë A (të dyja pesë).
– Me golin e fitores në minutën e 3-të kundër Veronës, Interi shkoi në tetë gola në 15 minutat e para të lojës, më shumë se çdo ekip tjetër në këtë sezon të Serisë A.
– Lautaro Martinez (9 gola në kampionat) mund të bëhet vetëm lojtari i tretë i huaj në historinë e Interit, që shkon në numër dyshifror golash në katër sezone të ndryshme në Serinë A, pas Stefano Nejers dhe Mauro Ikardit.