Përshtatja, forma dhe golat! Turneu përtej oqeanit nxjerr dobësitë, ja problemet e Milanit “amerikan”

Një tjetër rival prestigjioz dhe një tjetër humbje për Milanin. Në Las Vegas Barcelonës i ka mjaftuar një gol i Ansu Fatit për të mposhtur kuqezinjtë. Dogma e verës – nuk është forma ajo që ka rëndësi, por substanca – duhet të respektohet gjithmonë dhe rezultati përfundimtar i miqësoreve, vlen për aq sa vlen.

Problemi, megjithatë, është se më shpesh rezultati – d.m.th., forma – është pjellë e substancës. Dhe nëse Milani është kthyer sot në “Milanello” nga turneu amerikan pa arritur të fitojë një ndeshje, ka diçka për të analizuar. E kuptueshme, duke pasur parasysh revolucionin në aspektin numerik dhe taktik, por është gjithashtu e vërtetë që kampionati do të fillojë në më pak se tri javë. Pra, le të shohim indikacionet e lëna nga testi i fundit i luajtur kundër Barcelonës.

PËRSHTATJA ME SKEMËN – Në terma të përgjithshëm, sipas edhe daljeve të mëparshme (megjithëse në një mënyrë më pak vendimtare), Milani i këtij viti tashmë po tregohet mjaft i dallueshëm në qasjen e ndryshme në mesfushë. Dhe nuk ka të bëjë aq shumë me sasinë – në 4-3-3 fillestare mjafton një futje e bërë mirë për të rikthyer 4- 2-3-1-shin e vjetër në pak sekonda – por për lëvizjet dhe interpretuesit. Lojtarë të ndryshëm nga Milani i mëparshëm, më të strukturuar fizikisht, më vertikal, më të prirur për t’u shkëputur. Reijnders që arrin t’i sigurojë vetes dy raste të qarta për të shënuar (një shumë i pastër), Loftus-Çik që avancon dhe përfundon duke bërë fantazistin: ky është rezultati i ri në kërthizën e “djalli” dhe premton mirë. Sepse, në fakt, ekipi ka më shumë paparashikueshmëri, dhe në të njëjtën kohë mbulim më të madh.

TË RINJTË – Pas kësaj, ia vlen t’i përkushtohesh veçanërisht dy elementëve. Njëri është Leao, i cili tani ka arritur një nivel të tillë që mund të vendosë se kur të japë gaz dhe kur të kufizohet në detyrat e shtëpisë. Në thelb, një defekt që Rafa e ka mbajtur gjithmonë me vete. Megjithatë, me një lajm të mirë: nëse ndizet, për të rivalët ka gjithmonë vuajte. Pavarësisht nga kundërshtari: kur niveli rritet, portugezi përshtatet dhe vendoset në të njëjtin nivel. Është vetëdije për forcën që ka. E njëjta gjë që e bëri atë të merrte shiritin e kapitenit kur Hernandez u largua. Emrin tjetër e kemi përmendur më parë: Tizhani Reijnders, një djalë inteligjent, i aplikuar, i cili e kupton shpejt se çfarë kërkon Pioli prej tij. I zoti në çlirim nga markimi dhe i shpejtë në leximin e lojës, ai duket edhe i aftë për të vepruar si fantazist e njëkohësisht si shkatërrues. Ndër nënshkrimet e reja, padyshim më të mirat përgjatë turneut amerikan.

ÇFARË NUK SHKON — Testi me Barçën në krahasim me ato të mëparshmet me Realin dhe Juven ishte përgjithësisht një hap prapa. Periudhat në të cilat djalli nuk ndërtonte asgjë konkrete ishin shumë të gjata. Faza e mbrojtjes ishte gjithashtu veçanërisht shqetësuese. Praktikisht askush nuk mbijetoi. Nuk ia doli Tomori, i cili vazhdon me ulje-ngritjet si në sezonin e kaluar. Çau stonoi gjithashtu, por për momentin mbetet titullari përkrah anglezit. Dobët shumë Florenci, i lënë në vend nga Ansu Fati, i cili më pas gjeti mënyrën për të mposhtur edhe Menjanë. Hernandez ishte gjithashtu negativ dhe pati një qasje të çuditshme. Francezi dukej i përhumbur dhe hyrjet e Kalulusë e Kjaerit nuk është se sollën diçka të re. Në këto kushte, nëse drejtuesit sjellin edhe një mbrojtës qendre nuk do të bënin keq.

PO PULISIÇI? – Kartolina tjetër e pakëndshme e dërguar nga SHBA ka të bëjë me vështirësinë për të gjetur golin në manovër e sipër. Leao tentoi disa herë me Barçën, Reijndersi flirtoi me golin shumë, por në aspektin statistikor ekipi në tërësi vajton: nga 4 golat e shënuar nga kuqezinjtë, vetëm një – Romero me Realin – nuk erdhi nga goditje standarde. Dhe në fundit, Pulisiçi. Kundër katalanasve ai ishte më i dobëti në fushë, veçanërisht në raport me potencialin e tij. Disa ide të shkëlqyera në pjesën e parë, dhe më pas eklips total. Gjendja atletike, sigurisht, ndikon. Por ndoshta edhe një prirje – që nuk është risi në karrierën e tij – për të ulur ritmin brenda ndeshjeve. Amerikani është një nga lojtarët e aftë për të krijuar epërsi numerike, duke dribluar dhe për t’i mbajtur kundërshtarët e tërhequr, por Milani ka nevojë që ai ta bëjë më shpesh.